KEK sh.a. fton të gjithë konsumatorët që janë ankuar rreth faturave të muajit janar të jenë të pranishëm për pikat matëse për të cilat janë ankuar në mënyrë që t’i lejojnë ekipeve të korporatës të bëjnë verifikimin e gjendjes. Ekipet do të punojnë edhe gjatë vikendit në mënyrë që ankesat të shqyrtohen sa më shpejtë të jetë e mundur. Korporata edhe njëherë i siguron të gjithë konsumatorët se do të paguajnë aq sa kanë shpenzuar, asnjë cent më tepër. KEK vazhdon të pranojë ankesa edhepse ka rënie të tyre gjatë ditëve të fundit. KEK mbetet i përkushtuar që në lidhje me çështjen e faturave të janarit të ketë bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante dhe të adresojë secilin shqetësim të paraqitur. Por, i siguron të gjitha palët se në bazë të të gjitha analizave që janë bërë nuk ka asnjë fryrje të faturave, asnjë veprim të qëllimshëm dhe të gjitha rastet e gabimeve janë individuale, të cilat kanë ndodhur edhe më herët dhe janë në suaza të normalitetit. Dihet se procesi i leximit të gjendjes në njehsor është manual dhe gjatë shënimit të gjendjes për mbi 450 mijë konsumatorë ndodhin gabime si në Kosovë ashtu edhe në të gjitha vendet tjera, por ato korrigjohen. Madje, edhe në rast të mosankesës korrigjimi bëhet në mënyrë automatike qysh muajin vijues.