Duhet te jemi te vetëdijshëm se njësitë gjeneruese te Termocentralit Kosova B kanë moshën mbi 35 vjeçare,përderisa ato të Kosovës A mbi 40 vjeçare. Për këtë arsye, proceset e operimit të njësive në fjalë, janë shume komplekse dhe vështirë të parashikueshme, për sa i përket angazhimeve që kërkohen. Kushtet atmosferike të nxehtësisë ekstreme, që janë duke mbretëruar e vështirësojnë edhe më tepër situatën për sa i përket operimit dhe intervenimit dhe që shkaktojnë limitime të natyrshme të fuqisë së këtyre njësive.
Momentalisht, KEK është duke prodhuar mbi 500 MWh/h nga dy njësi te Kosovës B. Në Termocentralin Kosova A, ekipet janë duke punuar pandërprerë për tejkalimin e situatës së krijuar, duke bërë përpjekje që njësia A4 të kthehet në punë sonte, përderisa njësia e dytë në Kosovën A (A3) pritet të kthehet në punë gjatë vikendit.
Duke pasur parasysh këtë dhe të gjitha rrethanat në të cilat gjendemi, mund të deklarojmë se, për sa i përket KEK-ut jemi duke u ballafaquar me vështirësi momentale të natyrës së përkohshme të cilat do të tejkalohen shumë shpejt. Përndryshe, për sa i përket problemeve të furnizimit të konsumatorëve me energji, kemi të bëjmë me dobësi të sektorit të energjisë në përgjithësi, ku KEK-u është vetëm një nga aktoret e tij. Ne mënyrë që të tejkalohen këto dobësi, kërkohet që secili nga aktoret dhe palët e ndërlidhura me sektorin e energjisë, përfundimisht edhe bartësi i licencës së furnizuesit publik, që ka përgjegjësi dhe menaxhon me import dhe eksport të energjisë, të kryejë funksionin e vet që ka dhe të marrë përgjegjësitë qe i takojnë sipas autorizimeve dhe licencës.
Për sa i përket kësaj, KEK-u ka dëshmuar se, përkundër të gjitha problemeve të trashëguara, është duke përmbushur të gjitha obligimet e veta sipas autorizimeve dhe licencës si prodhues i energjisë. Si ilustrim, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, prodhimi nga këto njësi që janë, ka tejkaluar nivelin e planifikuar dhe kërkesat e konsumatorëve të vendit për energji elektrike.