Mos bini pre e dezinformatave – Projekti A3 nuk është anuluar!
Prishtinë, 04.07.2025 - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton qytetarët se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” nuk është anuluar, por është pezulluar përkohësisht, si rezultat i një ankese të paraqitur nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Dëshirojmë të theksojmë qartë se, në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), çdo ankesë e dorëzuar në OSHP pezullon automatikisht procedurën përkatëse deri në marrjen e një vendimi zyrtar. Ky është një mekanizëm standard ligjor, i aplikueshëm për të gjitha institucionet publike, dhe nuk përbën as rastin e parë, as të fundit të pezullimit të përkohshëm të një aktiviteti për arsye procedurale. Lidhur me këtë, Zyrtari i Prokurimit (ZEP) më datë: 02.07.2025 ka dorëzuar në OSHP kërkesën për heqjen e obligimit për pezullim sipas nenit 112 paragrafi 2. LPP.
KEK është e bindur se ankesa në fjalë është e pabazuar dhe ka kërkuar nga OSHP që ta trajtojë rastin me prioritet të lartë, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij projekti për sektorin energjetik dhe sigurinë energjetike të vendit. Kjo bindje është mbështetur edhe nga raporti zyrtar i përpiluar nga Eksperti Shqyrtues i OSHP-së (nr. lëndës 2025/0579), i cili rekomandon Panelin Shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik ankues të refuzohet si e palejuar.
Korporata rithekson përkushtimin e saj që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe të drejtë, me konkurrencë të hapur, në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik dhe me dokumentacionin e përgatitur nga ekspertët profesionistë të KEK-ut, në bashkëpunim me konsulencën e USAID, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar në hartimin profesional të dokumenteve, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe bazuar në legjislacionin në fuqi.

KEK është i përkushtuar që me vendosmëri ta çojë përpara këtë projekt deri në finalizimin e tij, pa marrë parasysh çdo tendencë për të cenuar integritetin e procesit përmes dezinformatave apo pretendimeve të pabazuara.
Prandaj, kërkojmë nga të gjitha palët që të shmangin përhapjen e dezinformatave dhe të kontribuojnë në një debat të drejtë, të bazuar në fakte, transparencë dhe ligjshmëri.