Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin publik për fillimin e punimeve ndërtimore të projektit Solar4Kosovo I – Centrali Fotovoltaik, i cili financohet nga:
• Bashkimi Evropian / Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
• Qeveria Gjermane përmes KfW si institucioni kryesor financiar ndërkombëtar.
• Banka Evropiane për Investime (BEI). dhe
• Korporata Energjetike e Kosovës sh.a.
Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në tranzicionin energjetik të Kosovës, duke kontribuar në rritjen e prodhimit nga burime të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme të energjisë.
Punimet ndërtimore do të zhvillohen në zonën afër Termocentralit Kosova A, që shtrihet në komunën e Obiliqit dhe Fushë Kosovës. Këto punime kryesisht lidhen me banorët e Kryshevcit (Dardhishtë) dhe lagjes Mërlak në fshatin Kryshevc, komuna e Obiliqit.
KEK sqaron se deri më tani nuk ka ndërmarrë masa ndaj përdorimit të paautorizuar të tokës, pasi nuk ka ekzistuar një plan konkret zhvillimor për atë zonë. Për më tepër, në përputhje me përgjegjësitë e saj si kompani publike dhe në kuadër të politikave të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative (CSR), KEK ka treguar mirëkuptim dhe ka toleruar këtë shfrytëzim të përkohshëm nga komuniteti lokal.
Prandaj, është e rëndësishme të informohen të gjithë përdoruesit e paautorizuar të tokës se:
• Toka në fjalë është pronë e KEK-ut;
• KEK është në përgatitje për punimet e ardhshme ndërtimore të projektit solar
• Sezoni bujqësor i vitit 2025 (gusht 2025) paraqet sezonin e fundit kur janë zhvilluar aktivitete bujqësore në këto toka;
• Pas kësaj periudhe, nuk do të lejohet më asnjë përdorim i tokës nga persona të paautorizuar.
Ky njoftim bëhet për të siguruar transparencë dhe informim të drejtë për të gjithë përdoruesit e pa autorizuar të tokës, përveç njoftimeve zyrtare dhe tabelave paralajmëruese që do të vendosen në perimetrin e zonës së projektit, e cila do të jetë e rrethuar me gardh sigurie.
KEK fton të gjithë përdoruesit e tokës dhe personat e prekur nga ky vendim që, për çdo sqarim ose informacion shtesë, të kontaktojnë përfaqësuesit tanë në:
📞 +383 44 284 594
📧 avni.shala@kek-energy.com
Sheshi Nënë Tereza, Nr.36, Prishtinë 10000
KEK mbetet i përkushtuar të ruajë një bashkëpunim të hapur, korrekt dhe respektues me komunitetet lokale, duke vlerësuar mirëkuptimin e tyre gjatë zbatimit të këtij projekti madhor, i cili do të kontribuojë ndjeshëm në një të ardhme më të gjelbër për Kosovën.