Më 02 korrik 2015, KEK organizoi një vizitë studimore në kuadër të shkollës verore për 54 nxënësit më të mirë nga të gjitha shkollat e Kosovës të përzgjedhur përmes projektit ATOMI që implementohet nga Qendra ENCOMPASS-Qendra për studime, Shërbime Psikologjike dhe Sociale dhe përkrahet nga MASHT dhe Universiteti Prishtinës. Me këtë rast nxënësit vizituan termocentralin “Kosova A”, mihjen sipërfaqësore Sibovci Jug-Perëndim dhe termocentralin “Kosova B”. Ekspertët e ardhshëm me potencial të jashtëzakonshëm të inteligjencës, u njoftuan për së afërmi nga menaxhmenti dhe inxhinieret e korporatës me hapat që zhvillohen për prodhim të qymyrit dhe energjisë elektrike, rezultatet e arritura dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u . Në këtë rast nxënësit u informuan se përkundër angazhimeve rreth aftësimit të të gjitha njësive gjeneruese, për stabilizim të prodhimit, KEK-u është duke vazhduar përmbushjen e objektivave që ka rreth përmirësimit të mjedisit ku operon. Nxënësit e projektit ATOMI dhe profesorët e tyre u ndanë shumë të kënaqur me atë që panë. Në këtë vijë ata shprehen dëshirën, që korporata të shqyrtojë mundësinë e një programi që nxënësit e nivelit të lartë të inteligjencës, në të ardhmen, të zhvillojnë punën praktike profesionale në proceset dhe stabilimentet e KEK-ut, duke marrë parasysh nevojat afatmesme, jo vetëm në KEK por edhe në tregun e përgjithshëm të punës në Kosovë. E gjithë kjo, me qëllim që këta nxënës të kenë mundësi, ta zhvillojnë dhe realizojnë maksimalisht potencialin e tyre intelektual dhe kësisoj t’i kontribuojnë në radhë të parë zhvillimit të tyre personal dhe në të njëjtën kohë edhe interesit të përgjithshëm shoqëror e kombëtar, që është edhe një nga synimet kryesore të projektit në fjalë.