Për të parë se si kanë rrjedhë punët dhe a ka ndonjë rezultat nga inspektimi i fundit në TC “ Kosova A”, më 09. 02 2011 u morën mostra të reja për matjen e materieve kimike, biologjike dhe radiologjike në këtë termocentral. Majori Jose Velaquez, kryesues i grupit të inxhinjerëve në kuadër të KFOR-it dhe njëherësh edhe udhëheqës i inspektimit, i shoqëruar nga përfaqësues të FSK-së, Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, të Departamentit të Menaxhimit të Emergjencave të Ministrisë të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe disa inxhinjerëve dhe ekspertëve të sigurisë industriale të këtij subjekti, mbeti shumë i kënaqur kur pa projektin për Planin e reagimit Emergjent, të përgatitur nga ekspertë të KEK-ut.  Ata morën edhe listën e materive kimike që përdoren këtu. Sipas Avdyl Bajgorës, menaxher i sigurisë Industriale në Divizionin e Gjenerimit, ky projekt është përpiluar për të dy termocentralet dhe pritet të finalizohet kah muaji maj dhe pastaj të implementohet. Hapi i dytë do të jetë trajnimi i punonjësve për implementimin e këtij plani. Duhet të themi se deri sot është vepruar në bazë të Planit të Mbrojtjes kundër Zjarrit, që është bërë në vitin 1988, kurse plani i ri do të jetë shumë më i avancuar dhe teknologjikisht më i përsosur. Menaxhmenti i KEK-ut ka marrë seriozisht këtë projekt dhe ka vendosur të investojë në përmirësimin e sigurisë të punonjësve në punë dhe mbrojtjen nga lirimi i materieve të dëmshme.