Mbi 40 punëtorë kosovarë kanë përfunduar trajnimin për operatorë të makinerive të rënda pas pesë javëve të trajnimit të bërë nga kompania amerikane HeviCert. Kjo është mundësuar pas trajnimit në KEK me financim të USAID-it, përkatësisht KPEP (Kosovo Private Enterprise Program) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.
Të martën, grupi i parë i punëtorëve të KEK-ut dhe kompanive private po bënin trajnimet përfundimtare përmes demonstrimeve praktike si në pjesën simulative përmes simulatorëve, ashtu edhe në terren përmes manipulimit praktik të makinave të rënda.
Certifikimi i Operatorëve për makineri të rënda është një program unik, pasi asnjë nga punëtorët e kompanive kosovare nuk janë të Certifikuar. “Tregu ka mungesë të madhe të operatorëve për makineri të rënda. Shumica e punëtorëve në të gjitha sektorët nuk është i Certifikuar dhe kualifikuar për punën që kryejnë. Pa e poseduar Certifikatën asnjë punëtor nuk mund të punësohet në kompani të cilat merren me ndërtimin e rrugëve me theks të veçante”, tha Valbona Kadrijaj, udhëheqëse e Qendrës së Trajnimit në KEK.
Prioritet në grupin e parë i është dhënë punëtorëve të kompanive për ndërtimin e rrugëve dhe punëtorëve të KEK-ut. Nga ky grup do të përzgjidhen Instruktorët të cilët do të angazhohen në fazën e dytë për trajnimin e Operatorëve të rinj. Në fazën e parë të trajnimit punëtorët janë ndarë të kënaqur nga aftësimi që kanë marrë nga kompania implementuese e projektit HEVICERT (USA) dhe mundësitë që u janë ofruar nga Qendra e trajnimit.
"Qëllim i këtij trajnimi është të ndihmohen kompanitë e ndërtimit të rrugëve dhe të krijohet një program në KEK që do të vazhdojë certifikimin. Certifikimi ndërkombëtar i operatorëve u mundëson kompanive të jenë me konkurrente në treg, ndërsa individëve u mundëson të gjejnë punë edhe në kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Kosovë apo jashtë saj. Me një fjalë i bënë kosovarët më konkurrent se sa janë tash", tha Virtyt Gacaferri, specialit për komunikim në Programin e Ndërmarrjeve Private në Kosovë të USAID.
Programi do të vazhdojë me trajnimin e grupeve të reja të cilat do të shprehin interesim për tu kualifikua me qëllim të inkuadrimit në tregun e punës përkatësisht me qëllim të ngritjes së njohurive/ shkathtësive profesionale.
Qendra e Trajnimit të KEK-ut është hapur në vitin 2005.
Gjatë këtyre viteve, në këtë Qendër janë aftësuar dhe trajnuar mbi 18 mijë punëtorë të KEK-ut dhe jashtë tij. Kjo qendër pos certifikimit të operatorëve për makineri të rënda, merret edhe me aftësimin dhe teknologjinë e saldimit, teknologjinë elektrike, teknologjinë mekanike, lëmin e sigurisë në punë etj. Në trajnimin e operatorëve dhe Salduesve, Qendra e trajnimit në KEK ka për qëllim që të ofrojë Certifikata me njohje ndërkombëtare gjë e cila do të lehtësojë pjesëmarrjen e kompanive vendore në projekte të ndryshme me karakter ndërkombëtar.