Si pasoje e motit, me acar ekstrem dhe reshje të mëdha te borës, që nuk mbahet mend gjatë 3 dekadave të fundit është vështirësuar furnizimi me rrymë. Blloqet funksionale mund të prodhojnë 900 MW, ndërsa ngarkesa në pik këto ditë shkon deri ne 1300 MW ( nuk bie nën 1100 MW). Kjo rezulton me nevojë të importit rreth 400 MW, për kushtet optimale të punës së blloqeve. Gjithashtu, vështirësitë e Termokosit që t’ju ofrojë ngrohje konsumatorëve në Prishtinë gjatë tërë ditës  kane rezultuar në një ngarkesë në sistemin energjetik prej 80 MW. Si rrjedhojë, ngarkesa në Prishtine është konstant rreth 250 MW. Gjendje e njëjtë mbizotëron edhe në rajon. Linjat transmetuse rajonale janë në limitin e tyre, pasi kërkesa është e jashtëzakonshme. Situatën e ka rënduar edhe më tepër nga mungesat e furnizimit të rajonit me gaz. KEK po importon në maksimum duke siguruar edhe import shtesë, por si pasojë e gjendjes rajonale, niveli i importit të nevojshëm në këtë gjendje të jashtëzakonshme është i pamundur të sigurohet. Për me tepër, kushtet ekstreme atmosferike, kane vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike. Acari ka penguar edhe stabilimentet në termocentrale, të cilat kohë pas kohe kanë dështuar të funksionojnë. Problemet rezultojnë tek hinkat, rrëshqitja e shiritave transportues, thyerja e shiriti transportues te qymyrit që furnizon njësinë A4 ndërsa ekskavatorët e djerrinës nuk kanë mundur të punojnë prej mbrëmjes të së enjtes si pasojë e ngricave. Pajisjet e ngrira vazhdimisht janë shkrirë, janë rikthyer dhe po rikthehen vazhdimisht në punë fale përkushtimit maksimal të punëtorëve 24 orë në ditë, por kushtet atmosferike kanë bërë të veten. Sido që të jeteë punëtorët nuk janë dorëzuar dhe po vazhdojnë të luftojnë me motin e lig. Si rrjedhojë, ngrirja e pajisjeve ka nxjerrë dy njësi nga prodhimi, përkundër përkushtimit maksimal të punëtorëve. Për ilustrim, në bazë të statistikave që kemi, kushtet atmosferike të ngjashme që kanë mbizotëruar në dimrin 1984/85 kishin vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike në TC Kosova B edhe pse ajo në atë kohë ishte në gjendje të përkryer të punës, menjëherë pas komisionimit!. Konkretisht, në atë kohë (janar 1985), ka pas trembëdhjetë rënie të blloqeve të TCB, që kanë qenë deri 8 ditë jashtë pune. Për shkak të gjendjes së vështirësuar, që nga e enjtja, përkatësisht me 02.02.2012  KEK-u ka shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe të gjithë punëtorët e korporatës në të gjitha divizionet janë në gatishmëri gjatë 24 orëve dhe po japin maksimumin e tyre aty ku është e nevojshme që gjendja të jetë sa më stabile. Punëtoret që janë të angazhuar në pikat me kritike të operimeve janë të obliguar të raportojnë çdo dy orë mbi gjendjen e pajisjeve dhe objekteve të tyre. Është duke u intervenuar në çdo problem që po paraqitet në kohën më të shkurtër të mundshme, por kushtet atmosferike dhe rrethanat tjera të përmendura më lartë po e vështirësojnë gjendjen e furnizimit. Për ta lehtësuar gjendjen, korporata ka kërkuar nga konsumatorët e mëdhenj të zvogëlojnë ngarkesën, sikurse  ka ndërprerë të gjitha operimet jo shumë të rëndësishme në mihje. Por, duke u nisur nga të gjitha këto rrethana të krijuara për shkaqe natyrore, apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursimin maksimal të energjisë elektrike. Konsumatorët mund të marrin masat specifike vijuese:
  • Të përmbahen nga shfrytëzimi i energjisë për ngrohje sa më shumë që është e mundur. Aty ku ka mundësi të përdoren burime të tjera të ngrohjes që janë në dispozicion, si janë lendet djegëse.
  • Të shkyçen bojlerat gjatë orëve të pikut në mëngjes dhe mbrëmje, përkatësisht nga ora 8:00 deri në 11:00 në mëngjes dhe nga ora 18:00 deri në 22:00 në mbrëmje.
  • Të shfrytëzohen mundësisht pajisjet me dru ose me gaz për zierje të ushqimit.
Për ta tejkaluar këtë gjendje sa më shpejtë dhe sa më lehtë, KEK apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike sipas mundësive. Korporata insiston fuqishëm në kërkesën e saj që aty ku është e mundur të përdoren për ngrohje lendet djegëse dhe jo energjia elektrike. Përdorimi i formave alternative të ngrohjes do t’ia lehtësonte shumë barrën KEK-ut që ta kryente misionin e vetë në mënyrën më të mirë të mundshme, përkundër rrethanave ekstreme atmosferike që po mbizotërojnë aktualisht. Faleminderit në mirëkuptim.