Pas ndërmarrjes së veprimeve përgatitore për eliminimin e pasojave të aksidentit të datës 06 qershor 2014 drejt stabilizimit të prodhimit para sezonit të dimrit, përkundër sfidave të ndërlidhura me vjetërsinë e njësive me të cilat operon, KEK ka ndryshuar konceptin e menaxhimit duke kaluar nga aktivitetet emergjente të mirëmbajtjes dhe investimeve në ato preventive dhe të planifikuara. Duke pasur parasysh nevojën e sigurimit të furnizimit stabil, sot në mëngjes me 28 gusht 2014, më qëllim të ndërmarrjes se disa intervenimeve të domosdoshme teknike është ndalur njësia B2 e Termocentralit Kosova B. Në lidhje me ndalesën në fjalë, konform praktikave standarde të veprimit që zbatohen në raste të tilla, KEK ka informuar palët e ndërlidhura mbi ndalesën e planifikuar të njësisë në fjalë që dje pasdite,me 27 gusht 2014, në mënyrë që të mundësohet ndërmarrja e hapave adekuat nga furnizuesi publik. Për më tepër, KEK ka siguruar edhe 100 MW shtesë nga KESH që do të kthej vet si kompensim, në mënyrë që të përkrah furnizuesin publik. Me këtë rast punët e parapara janë duke u kryer me një dinamikë të shtuar dhe njësia B2 pritet të lëshohet në punë në orët e hershme të mëngjesit nesër, brenda afatit optimal prej 24 orësh nga ndalja e tij. Në këtë rast, KEK sh.a. falënderon për mirëkuptim të gjithë palët e ndërlidhura që mund të jenë të  afektuar.