Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrë pjesë në Simpoziumin e II të CIGRE për Tranzicionin e Energjisë, i cili u mbajt sot në Prishtinë. Në këtë ngjarje, z. Ramadan Budakova, zv. Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen energjetike të Kosovës.
Në fjalimin e tij, z. Budakova theksoi se Tranzicioni i Energjisë është një temë me rëndësi të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik në Kosovë. Ky proces është jetik për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji dhe për modernizimin e sektorit energjetik, që do të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit.
KEK operon me dy termocentrale, Kosova A dhe Kosova B, si dhe me minierën e linjitit Sibovc Jug-Perendim, dhe ka arritur të mbulojë mbi 90% të nevojave energjetike të vendit. Pavarësisht teknologjisë së vjetëruar, KEK ka kontribuar në stabilitetin e sektorit energjetik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Për më tepër, vlen të theksohet se edhe çmimi i energjisë elektrike nga KEK është 29.5 EUR për MW/h, duke e bërë Kosovën të ketë çmimin më të lirë të këtij produkti esencial në rajon dhe më gjerë.
Në kuadër të angazhimeve të saj për Tranzicionin në Energi të Pastra, KEK po ndërmerr masa të rëndësishme, përfshirë rinovimin e dy njësive të Termocentralit "Kosova B", dhe rinovimin e një njësie të Termocentralit "Kosova A". Ky rinovim do të mundësojë sigurinë e furnizimit me energji dhe uljen e emetimeve të gazrave të dëmshëm.
Një tjetër projekt kyç për KEK është ndërtimi i Parkut Solar me kapacitet prej 100 MW, i cili do të kontribuojë në përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Ky projekt, me kosto prej 103 milionë eurosh, do të financohet përmes një kombinimi grantesh dhe kredish të buta, dhe është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi energjetik të balancuar dhe të qëndrueshëm.
Përveç investimeve në kapacitete të rinovueshme, KEK është angazhuar në përmirësimin e efikasitetit të prodhimit dhe zvogëlimin e ndikimit mjedisor, me projekte për ndërtimin e elektrofiltrave dhe përmirësimin e sistemeve DeNOx për reduktimin e emetimeve dhe për të arritur standardet e Bashkimit Evropian.
Në përfundim, zv. Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, z. Ramadan Budakova, theksoi se tranzicioni i energjisë është një mundësi për zhvillim ekonomik dhe për arritjen e objektivave globale për klimën. Me angazhimin e të gjithë akterëve, KEK është e angazhuar për të luajtur një rol kyç në ndërtimin e një të ardhmeje energjetike të pastër dhe të qëndrueshme për Kosovën.