Punëtorët e KEK-ut kanë arritur të sanojnë qindra prishje në rajonin e Dukagjinit, të shkaktuara si pasojë e të reshurave të ditëve të fundit, pra motit të lig. Punëtorët kanë punuar edhe me orar të zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes (shih fotot ku ilustrohet intervenimi i tyre edhe me pamje), edhe gjatë vikendit, duke mos e kursyer veten e tyre dhe përkundër kushteve atmosferike, kushteve të rënda të terrenit pas shkrirjes së borës dhe konfiguracionit të tij, kanë arritur t’i sanojnë pjesën dërrmuese të prishjeve.
Moti i lig në rajonet e Pejës dhe Gjakovës kishte shkaktuar thyerjen e mbi 100 shtyllave të tensionit të lartë dhe të ulët, sikurse dhjetëra prishje tjera. Gjendja më e rëndë ka mbizotëruar në Komunat e Pejës dhe Deçanit.
Punëtorëve u kanë shkuar në ndihmë dhe kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në terren edhe nga Distriktet tjera si ai i Prizrenit dhe specialistët nga Prishtina. Pra, është dhënë maksimumi. Si pasojë e baltës së krijuar pas shkrirjes së borës shumë shtylla dhe pajisje tjera është dashur të barten me duar, por nuk ka munguar as mobilizimi i banorëve, të cilët KEK-u i falënderon.
Por, korporata ka vërejte në mediumin publik, përkatësisht RTK-në. Ky medium në vend që të luante rol konstruktiv dhe të kryente misionin e vet publik, pra të ndihmonte përmes informimit të drejtë në evitimin e gjendjes së krijuar për shkaqe natyrore, bën të kundërtën. RTK, edhepse i është shpjeguar në detaje gjendja në terren nga Zyra për Komunikime e korporatës, i abstrahon komplet informatat zyrtare, madje duke shkelur edhe parimet e gazetarisë së paraqitjes së fakteve nga të gjitha palët e involvuara, duke marrë “informata” nga një qytetar i cili pos që jep të dhëna të pasakta, nivelin e ndershmërisë dhe ndërgjegjes së pastër të tij e tregon me faktin se i ka mbi 1500 euro borxh ndaj KEK-ut.