KEK sh.a. reagon ashpër ndaj deklaratave të papërgjegjshme të krerëve të BSPK-së. Kërcënimi i BSPK-se se nëse çmimet e energjisë elektrike nuk ulen do të bëj thirrje publike për mospagesë të energjisë elektrike dëmton direkt jo vetëm KEK-un dhe operimet e saj por edhe qytetaret të cilët do të ballafaqohen me shkyçje në rast se i dëgjojnë apelet e këtij lloji. BSPK është organizëm që merret me avancimin e kushteve të punëtorëve e jo me çmime, aq më tepër me punët e brendshme të një korporate kur nuk flitet fare për të drejtat e punëtorëve. Kërkesa për dëmtim të KEK-ut është kërkesë për dëmtim të interesave të qytetarëve të vendit sepse furnizimi me energji elektrike është jetik për ekonominë dhe qytetarët. Kërcënimi për thirrje të tilla s’ka si merret tjetër, pos luftë për të qenë në qendër të vëmendjes  duke përdorur secilin mjet që i bie ndërmend, pa pyetur për pasojat. Në rastin e jetësimit të një kërcënimi të tillë, KEK nuk do të rrijë duarkryq, por do të shikojë menjëherë ndërmarrjen e hapave ligjor. Kërkesa e bërë nga KEK-u për rritje të tarifave të energjisë elektrike është bërë në përputhje të plotë me Metodologjinë Tarifore të aprovuar nga ZRRE dhe ka synim të vetëm ruajtjen e kontinuitetit të furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimin e shërbimeve. Ajo është bërë për t’u reflektuar kostoja sidomos për konsumatorët e amvisërisë, që të mirëmbahen asetet dhe të sigurohet energji elektrike nga importi, pasi kapacitetet vendore nuk e mbulojnë kërkesën sidomos gjatë dimrit. Miratimi i pjesshëm i kërkesës nga ana e ZRRE-së është në vazhdën e këtij misioni dhe prapë çmimet e energjisë elektrike në Kosovë mbesin më të ulëtat në rajon. Mosaplikimi i reduktimeve për muaj me radhë për asnjë kategori është një tregues i qartë i vendosmërisë së KEK-ut në këtë drejtim. Në situatën që po kalon, korporata kërkon mbështetje nga të gjithë akterët në mënyrë që të stabilizohen përfundimisht shërbimet.