KEK sh.a. reagon ashpër ndaj deklaratave të pavërteta të dhëna për media të zyrtarëve të fabrikës së cimentos “SharrCem”  të cilët akuzojnë për ndërprerje të  furnizimit me energji elektrike në momentin kur mediat kanë qenë prezentë gjatë dy ditëve të kaluara, dhe se kjo paska qenë arsyeja e pritjes së kamionëve. Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin se këto akuza janë të pavërteta pasi që kompania "SharrCem" nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për asnjë moment gjatë periudhës në fjalë. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht në bazë të  informatave që kemi pranuar nga KOSTT -i i cili furnizon “SharrCem” nëpërmjet linjave të tensionit  110kv sikurse edhe nga informatat e marrura nga vetë zyrtarët përgjigjës të  “SharrCem”.  Për më tepër, për hir të së vërtetës duhet të vihet në pah se kompania “SharrCem” nuk ballafaqohet me ndërprerje të energjisë elektrike asnjeherë, meqë është konsumator i privilegjuar sipas kontratës së nënshkruar me KEK-un për furnizim të pandërprerë 24 orë. Prandaj, KEK-u shpreh habinë dhe indinjatën e thellë me këto deklarata të cilat pos që tentojnë të dëmtojnë imazhin ato njeherësh janë edhe fyese për KEK-un. Duke marr parasysh marrëdhëniet afatgjate kotraktuale që ka pasur me "SharrCem", KEK-u pret nga zyrtarët e kësaj kompanie të japin sqarim dhe kërkojnë falje publike për këto deklarata, përndryshe është i detyruar të rishikojë pozicionin e tij në lidhje me  dedikimin e deritanishëm të trajtimit të "SharrCem" si një konsumator dhe partner i privilegjuar.