Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) reagon ndaj artikullit të publikuar më 19.08.2025 nga Gazeta “Insajderi”, me titull “KEK-u pezullon tenderin 2.5 milionësh që iu bë gati kompanisë më ortak kinez”.
Kjo për faktin se artikulli përmban të pavërteta dhe dezinformata që çojnë në keqinformimin e opinionit publik.
Pezullimi i aktivitetit të prokurimit për projektin “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B” është bërë vetëm për shkak se më 18.08.2025 Autoriteti Kontraktues ka pranuar një Kërkesë për rishqyrtim.
Sipas nenit 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik, në momentin kur pranohet një kërkesë për rishqyrtim, Autoriteti Kontraktues është i detyruar me ligj që të pezullojë aktivitetin e prokurimit deri në marrjen e një vendimi për atë kërkesë.
Pra, pezullimi i këtij aktiviteti është një procedurë standarde ligjore, e cila nuk ka asnjë lidhje me spekulimet dhe insinuatat e publikuara nga kjo media. KEK-u u bën thirrje mediave që të mos shpërndajnë dezinformata të pasakta që çojnë në keqinformimin e opinionit publik dhe të respektojnë parimet e informimit të saktë, korrekt dhe të balancuar.
Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe konkurrencës së drejtë, dhe nuk do të lejojë që proceset e saj të përdoren për manipulime mediatike.