KEK sh.a. njofton se të enjten, me 24.11.2011 në mesditë është detyruar ta ndalë njësinë B1 si pasojë e problemeve teknike. Kjo ka rënduar situatën e furnizimit me energji elektrike. Menaxhmenti i korporatës ka bërë të gjitha përpjekjet që të siguronte import shtesë, por sasia e siguruar është e pamjaftueshme për mbulim të kërkesës pasi që kjo ishte e pamundur për shkak të mungesave të mëdha edhe në rajon. Gjendja pritet të stabilizohet pas 24 orëve kur pritet të kthehet sërish në sistem njësia B1. KEK sh.a. u kërkon ndjesë konsumatorëve për këtë gjendje të krijuar dhe i siguron konsumatorët që po bën përpjekje maksimale për furnizim sa më të mirë dhe kualitativ me energji elektrike. Aktualisht në sistem janë te gjitha njësit e disponueshme të termocentralit “Kosova A”, përkatësisht njësia A3, A4 dhe A5 që prodhojnë rreth 400 megavatë/orë, hidrocentrali i Ujmanit me 32 megavatë/ orë në orët e pikut dhe importi që shkon deri në 350 megavatë/orë. Por, ditëve të fundit është rritur jashtëzakonisht shumë kërkesa dhe në orët e pikut shkon deri në 1100 megavatë/orë. Në këtë gjendje, KEK sh.a. apelon fuqishëm tek konsumatorët që të përdorin forma tjera alternative për ngrohje aty ku kanë mundësi, në mënyrë që t’ia lehtësojnë korporatës të kryejë punën e vet, sidomos kur dihet se përdorimi i lendeve djegëse për ngrohje është më i lirë dhe më i shëndetshëm.