Duke marrë parasysh qarkullimin e deklaratave rreth furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve fundorë që shkaktojnë konfuzion në publik dhe e vënë opinionin në lajthitje, KEK sh.a. e sheh të nevojshme të sqarojë përsëri faktet si në vijim.
Përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e pajisjeve, performanca aktuale e KEK-ut, falë investimeve të duhura, menaxhimit efikas dhe përkushtimit të punëtorëve në tërë hallkat e veprimit, vazhdon të tejkalojë caqet e planifikuara.
Pas arritjes së rekordit historik në prodhim gjatë vitit 2013, trendi i rritjes ka vazhduar edhe këtë vit. Në periudhën 01 janar deri 31 mars 2014, disponueshmëria e prodhimit në TCB ishte 100% ndërsa ajo në TCA ishte mbi 120% në krahasim me planin e prodhimit. Përndryshe, këto shifra do të ishin edhe më të mëdha, po të mos kishim kërkesa për reduktim të kapaciteteve prodhuese në periudha të caktuara kohore.
Për më tepër, në këtë moment janë të gatshme për shfrytëzim rreth 13 milion ton qymyr, përderisa në deponitë e termocentraleve janë të depozituara rreth 400,000 tonë qymyr.
Gjatë kësaj periudhe numri i ndalesave si dhe koha e mbajtjës jashtë punës të njësive Kosova A dhe Kosova B është përgjysmuar në krahasim me vitet e kaluara.
KEK në vazhdimësi është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për prodhim të qëndrueshëm sipas bilancit energjetik, që të mundësojë bartësit të licencës të ofrojë një furnizim stabil.
Përndryshe, si rrjedhim i procesit të privatizimit, nga data 08 maj 2013, KEK nuk ka asnjë autorizim për furnizim të konsumatorëve fundorë me energji elektrike. KEK i dërgon, rregullisht informatat rreth orarit të disponueshmërisë së blloqeve të Termocentraleve tek KEDS, që është bartës i licencës së furnizuesit publik dhe menaxhon me import të energjisë dhe i cili ka obligim të përkujdeset për furnizim me energji elektrike të konsumatorëve.