Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është ndalur më 26 tetor 2025, si rezultat i rrjedhjeve të evidentuara në kaldajë.
Menjëherë pas krijimit të kushteve të nevojshme për ndërhyrje, të gjitha ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit janë mobilizuar plotësisht dhe kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve të paraqitura, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të njësisë në funksionim normal.
Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit të Termocentralit “Kosova B”, të gjitha sanimet janë përfunduar me sukses dhe njësia B2 është rikthyer në operim dje, rreth orës 12:00 dhe aktualisht njësia është duke operuar me një kapacitet prej rreth 290 MWh.

Sqarim për opinionin publik
Korporata Energjetike e Kosovës dëshiron të sqarojë opinionin publik se ndaljet e njësive gjeneruese në termocentrale të këtij tipi janë procese të zakonshme teknike që ndodhin si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldaja, ku janë të vendosura mbi 500 kilometra gypa. Duke marrë parasysh kohën e gjatë të shfrytëzimit të këtyre pajisjeve, rrjedhjet e tilla janë të pashmangshme dhe adresohen rregullisht nga ekipet tona profesionale.
Është e rëndësishme të theksohet se edhe operatorët e tjerë të sektorit energjetik në vend përballen me defekte të natyrave të ndryshme teknike – madje edhe në baza ditore – dhe këto situata asnjëherë nuk alarmohen në publik.
Prandaj, keqinterpretimet dhe keqinformimet që lidhen me ndaljen e përkohshme të njësive i konsiderojmë të dëmshme si për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), ashtu edhe për sistemin energjetik të vendit në tërësi.