KEK sh.a. njofton publikun se numri i sulmeve ndaj punëtorëve të KEK-ut është rritur ndjeshëm në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Vetëm gjatë 15 ditëve të fundit të muajit shkurt janë sulmuar dhe janë rrahur 32 punëtorë të korporatës gjatë kryerjes së detyrave të tyre në Kosovë, 20 prej të cilëve ishin duke i kryer detyrat e tyre në distriktin e Prishtinës. Disa prej punëtorëve që janë sulmuar kanë pësuar lëndime serioze, të cilat do t’u shkaktojnë atyre probleme në të ardhmen. Këto akte të dhunës janë të papranueshme dhe ato pamundësojnë KEK-un për të ofruar shërbime te konsumatorët.
KEK-u dënon fuqishëm dhunën ndaj punëtorëve të saj dhe kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë që të merren me secilin sulmues, në mënyrë që ata ta marrin dënimin e merituar. Askush nuk ka të drejtë të krijojë një ambient, ku konsumatorët që refuzojnë të paguajnë faturat e tyre apo që keqpërdorin energjinë të ndjejnë se kanë mbrojtje publike për dhunën ndaj punëtorëve të KEK-ut.
KEK-ut, si furnizues publik, duhet t’i lejohet qasja e nevojshme për të siguruar furnizimin me energji elektrike, shpërndarje të faturave dhe inkasim të pagesave. Të gjitha grupet e interesit, si shoqëria civile, mediat dhe partitë politike duhet ta ndihmojnë KEK-un në kryerjen e këtyre detyrave, e jo ta bëjnë të kundërtën. Energjia elektrike është jetike për qytetarët e vendit dhe për zhvillimin e Kosovës, dhe KEK-u ka punuar shumë për përmirësimin si të furnizimit të bollshëm me energji elektrike, ashtu edhe me furnizim cilësor. KEK-u kërkon nga të gjithë qytetarët që të luajë rolin e tyre në denoncimin e dhunës kundër punëtorëve të KEK-ut, të cilët thjesht vetëm po i kryejnë detyrat e tyre.