Drejtori i Sekretariatit te Komunitetit te Energjisë me seli në Vjenë, z. Janez Kopac, vizitoi KEK-un. Me ketë rast ai vizitoi termocentralin “Kosova A” dhe termocentralin Kosova B. Gjate kësaj vizite, mysafiri i lartë u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj.
Udhëheqësi i Komunitetit te Energjisë, u njoftua nga z. Gjukaj me gjendjen, rezultatet e arritura dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u .
“Ne mbesim të përkushtuar në punën tonë dhe në ngritjen e nivelit të prodhimit stabil dhe të sigurt. Përkundër të gjitha sfidave, punët rreth remontit të njësive në Termocentralin “Kosova A” tashmë janë duke përfunduar. Me rifillimin e prodhimit të njësisë A4, prodhimi vendor i energjisë do të jetë sipas planit dhe bilancit te aprovuar. Përndryshe, siguria dhe besueshmëria e prodhimit do të rritet në fillim të muajit te ardhshëm, kur njësia A5 do të jetë e gatshme për punë me kapacitet të plotë.”.
Kopac u informua gjithashtu se në vitin 2013, në gjeneratorët e dy termocentraleve, janë prodhuar 6.25 milionë megavat/orë energji elektrike, apo rreth 600 mijë megavat/orë më tepër se në vitin 1988, kur ishte arritur prodhimi më i madh para lufte. Ne Divizionin e Prodhimit te Qymyrit, stabilizimi i furnizimit ka ndikuar që në depot e termocentraleve të ketë rezerva të vazhdueshme për disa javë, derisa janë të zbuluara dhe të gatshme për shfrytëzim rreth 13 milion ton qymyr.
Me tej, z. Kopac u informua edhe në lidhje me investimet e bëra në projektet ambientale të finalizuara vitin e kaluar, siç janë ndërrimi i elektro-filtrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”, transporti hidraulik i hirit, rehabilitimi kodrave te hirit dhe eliminimin e materieve të rrezikshme.
Në këtë vijë, z Gjukaj falënderoi Komunitetit e Energjisë për përkrahje të vazhdueshme të dhënë gjatë viteve të kaluara e cila po vazhdon edhe më tej për KEK-un dhe Sektorin e Energjisë.
Në këtë rast, z.Kopac u shpreh mjaft i kënaqur rreth asaj që pa dhe punën e cila po bëhet duke cekur se përkundër shume vështirësive me të cilat ballafaqohet KEK-u, rezultatet nuk mungojnë. Ai njëherësh përgëzoi menaxhmentin veçanërisht për përkushtimin rreth prodhimit stabil dhe sigurisë energjetike, që është bazë për zhvillimin ekonomik të vendit.