Ndihmës Sekretarja Amerikane e Armatës, Shkëlqesia e Saj zonja Katherine Hammack, më 09 dhjetor 2013, e shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë të Ambasadës dhe KFOR-it Amerikan, vizitoi termocentralin Kosova B. Gjatë kësaj vizite, delegacioni u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj si dhe menaxhmenti i KEK-ut.
Me ketë rast, delegacioni u informua nga z. Gjukaj me gjendjen, rezultatet e arritura dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u.
“Jemi shumë të vetëdijshëm, se sistemi elektro-energjetik i Republikës së Kosovës bazohet gati në tërësi në njësitë gjeneruese të KEK-ut. Andaj operimi stabil dhe i besueshëm i termocentraleve ekzistuese ka rëndësi jetike për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.”, tha z. Arben Gjukaj.
“Duke pasur parasysh nevojat që dalin nga dizajni i sistemit elektro-energjetik të Kosovës, përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e njësive gjeneruese me të cilat operon, KEK-u ka rritur prodhimin në vitet e fundit, vazhdimisht 5 deri në 10 për qind çdo vit. Kjo është arritur falë angazhimit maksimal të punëtorëve të korporatës në tërë hallkat e prodhimit duke filluar nga prodhimi i qymyrit e deri tek termocentralet dhe fale investimeve qenësore te ndërmarra gjate kësaj periudhe”, tha z. Gjukaj. Delegacioni u informua gjithashtu se në vitin 2012 në gjeneratorët e dy termocentraleve janë prodhuar 5.85 milionë megavat/orë energji elektrike, qe ishte prodhimi me i larte qe nga fillimi punës se tyre. Duke marr parasysh se për 11 muaj te këtij viti janë prodhuar gati 5.8 milion megavat/ore energji elektrike ky rekord pritet te tejkalohet prapë ne vitin 2013.
Delegacioni u informua gjithashtu edhe në lidhje me investimet e ndërmarra në projektet ambientale siç është ndërrimi i elektro-filtrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”. “KEK-u ka bërë përpjekje të mëdha për të minimizuar ndikimin mjedisor të tri njësive operative të Kosova A. Pos kësaj, kemi zëvendësuar transportin e hirit fluturues nga shiritat e hapur në sistem hidraulik nga Kosova A, sikurse jemi duke ri-kultivuar kodrat e hirit dhe jemi duke eliminuar substancat e rrezikshme. Pra, kemi punuar në eliminimin e katër shkaktarëve kryesor të ndotjes së ambientit nga KEK-u”, shtoi z. Gjukaj.
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Armatës, Shkëlqesia e Saj zonja Katherine Hammack u nda mjaftë e kënaqur për punën të cilën po e bën menaxhmenti i korporatës duke cekur se përkundër shume vështirësive me të cilat ballafaqohet KEK-u, rezultatet nuk mungojnë. Ajo njëherësh falënderoi dhe përgëzoi menaxhmentin veçanërisht për rezultatet e arritura në prodhim si dhe kontributin ne sigurinë energjetike te vendit, që është bazë për zhvillimin ekonomik të shtetit.