Caffe bar “Arena”, që gjendet në objektin e Stadiumit të Prishtinës është shkyçur të martën nga rrjeti elektrik prej ekipeve të KEK-ut. Ky konsumator kishte borxh të papaguar prej 22 mijë eurosh. “Arena” është një nga 62 konsumatorët me borxhe të mëdha që u është ndërprerë furnizimi më 18 tetor. Aksioni është shtrirë në të gjithë Prishtinën dhe do të vazhdojë ditëve në vijim edhe në komunat tjera. Ndihmë të veçantë në ndërmarrjen e veprimeve të tilla korporatës po i jep edhe Policia e Kosovës, të cilën korporata e falënderon përzemërsisht, ndërsa KEK-u një falënderim të veçantë shpreh edhe për mediat që po e mbështesin fuqishëm vënien e rregullit në sektorin energjetik. Mbi 10 mijë konsumatorë po shkyçen çdo muaj. Zotim i korporatës është që të mos lëshojë pe dhe të mos e ndërpresë aksionin e shkyçjeve deri në pagesën e centit të fundit. Në raste të rikyçjes ilegale KEK po i dërgon lëndët automatikisht në gjykatat përkatëse. KEK sh.a. apelon tek të gjithë konsumatorët që të mos rikyçen ilegalisht, por të paguajnë borxhet e tyre në mënyrë që të kenë sërish furnizim të rregullt. Kjo është rruga e vetme e rregullimit përfundimtar të korporatës, ditë kjo që është më e afërt se asnjëherë më parë. Listën e konsumatorëve me borxhe të mëdha të shkyçur të martën në qytetin e Prishtinës gjeni në dokumentin e bashkëngjitur.