KEK sh.a. sqaron se teksti i botuar të shtunën, me 12.01.2013 në gazetën “Zëri” me titullin “Gjukaj s’faturon rrymë në vendlindje” përmban në vete pasaktësi që e dezinformojnë opinionin. Madje, teksti ka kundërthënie në vetvete, çka bën që këto akuza të jenë të qëllimshme. Gazetës “Zëri” i është thënë qartë që energjia elektrike po faturohet edhe në këtë komunë, për çka është cituar KEK-u zyrtarisht, ndërsa gazeta përmes burimeve anonime konstaton të kundërtën. KEK sqaron se po faturohet në këtë komunë dhe po inkasohen mjete. Gazeta në titull akuzon Drejtorin Menaxhues të KEK-ut, z. Arben Gjukaj se gjoja nuk po faturuaka në vendlindjen e tij. Konstatime të tilla janë të pabaza dhe të padrejta pasi z. Gjukaj nuk merret me faturim dhe nuk ka sjellë vendimin për largimin e punëtorëve të furnizimit në nëndistriktin e Deçanit. Ata e kanë larguar vetveten duke sabotuar punën dhe korporata, përkatësisht instancat relevante të sajë kanë vendosur që të largohen nga puna, duke vepruar konform Ligjit të Punës dhe rregulloreve në fuqi. KEK nuk do të lëkundet para kësaj anarkie të cilën po e mbështetë edhe gazeta në fjalë dhe nuk do të tërheqë asnjë vendim të marrë në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Gazetës “Zëri” i është thënë qartë që në nëndistriktin e Deçanit vazhdojnë të punojnë 16 punëtorë, ndërsa kjo gazetë disa herë brenda tekstit të apostrofuar konstaton se në Deçan nuk punon asnjë punëtor i KEK-ut! Kjo dëshmohet me faktin se punëtorët e korporatës kanë sanuar dhjetëra prishje në komunën e Deçanit gjatë borës së madhe që ra muajin e kaluar duke punuar pa ndërprerje. Gazeta akuzon gjithashtu KEK-un se po e furnizuaka këtë komunë kohë pas kohe me energji elektrike. Edhe ky konstatim është i pasaktë pasi furnizimi po bëhet njëjtë si në çdo pjesë të territorit të vendit dhe daljet që gjenden në kategorinë C pjesën dërrmuese të kohës kanë furnizim pa ndërprerje. KEK nuk pajtohet assesi me këto konstatime dhe të pavërteta dhe kërkon nga gazeta “Zëri” që të veprojë konform parimeve të gazetarisë, të mbështetë veprimet ligjore dhe jo ato anarkike dhe individët që u intereson vetëm krijimi i anarkisë.