KEK sh.a. sqaron se konstatimet e Komunës së Prishtinës dhe të kryetarit të Partisë së Gjelbër, z. Daut Maloku në numrin e sotëm të gazetës “Koha Ditore” në artikullin “KEK e ndotë Prishtinën 70 herë mbi normat e lejuara”, se gjoja KEK-u qenka ndotësi më i madh i Qytetit të Prishtinës nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara. Aty nuk ceket asnjë studim i bërë nga ambientalistët. Gjendja është komplet tjetër nëse citohen studimet e ambientalistëve. Sipas studimeve të fundit, KEK është ndotësi i pestë, pra në kryeqytet janë 4 ndotës me të mëdhenj se KEK-u, ku bindshëm prinë ndotja nga veturat.
KEK është i vetëdijshëm se po gjeneron ndotje, kryesisht nga termocentrali “Kosova A”. Sidoqoftë, ky termocentral është ndërtuar para rreth 50 vjetëve dhe standardet mjedisore që nga atëherë kanë ndryshuar. KEK ka arritur ta sjell emetimin nga ndotja prej këtij termocentrali dhe të agregateve tjerë brenda dhe të tejkalojë parametrat e dizajnuar. Si rrjedhojë mund të konkludojmë në përgjithësi se nga stabilimentet e KEK-ut ndotja në Prishtine është më e vogël se para 25 viteve.
Si do që të jetë, KEK-u është duke vazhduar më tutje me përmirësime, duke mos ndenjur duarkryq.
Sipas ekspertëve të ambientit janë identifikuar katër ndotës nga KEK-u dhe korporata po punon në eliminimin e të gjithëve.
Hapi më madhor është ndërrimi i elektrifiltrave të njësive aktive të TC “Kosova A”, përkatësisht A3, A4 dhe A5. Ky proces tashmë ka nisur dhe elektrofiltri i njësisë A5 ka marrë formën përfundimtare dhe do të lëshohet në punë pas disa javësh. Pas përfundimit të tij menjëherë ndërrimi i njësisë A3 dhe do të zgjasë deri në tremujorin e tretë, kur nisë ndërrimi i elektrofiltrit të njësisë A4.
Projekti do të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2013 dhe ka koston prej mbi 25 milionë eurosh, investim vetanak i KEK-ut. Pas ndërrimit të elektrofiltrave emisioni nga TC “Kosova A” do të jetë brenda standardeve të Bashkimit Evropian.
Pos elektrofiltrave, KEK ka në përfundim e sipër edhe projektin për mbulimin e kodrës së hirit pranë TC “Kosova A”, ndërtimin e sistemit hidraulik të bartjes së hirit dhe asgjësimin e mbi 20 mijë tonë substanca të rrezikshme. Të gjitha këto projekte do të përfundojnë brenda këtij viti.
Viti 2012 për KEK-un është vit i investimeve në ambient ku janë ndarë mjetet më të mëdha investuese me një kosto totale prej afro 50 milionë eurosh. Në këtë situatë KEK pret mbështetjen e palëve të interesit si Komunës së Prishtinës dhe Partisë së Gjelbër, e jo akuza të pabaza.