KEK sh.a. sqaron se në informatat e dhëna sot nga disa media në lidhje me nënstacionin 110/20 kV (kilovolt) Gjilani V ka devijime nga e vërteta. Korporata sqaron se ky projekt nuk është i ndërlidhur direkt me Komunën e Gjilanit, por është projekt i KEK-ut i financuar nga Qeveria Zvicerane. Ky projekt është ndërmarrë për të zgjidhur çështjen e furnizimit me energji të Gjilanit dhe zonave përreth, sidomos bizneseve që gjenden në atë pjesë, përkatësisht Zonës Industriale. Të gjitha përgatitjet janë bërë nga KEK-u nga fillimi e deri në fund. Prandaj, atribuimi se gjoja ky është projekt i komunës në fjalë është i padrejtë dhe si i tillë nuk qëndron. Është fakt se korporata ka hasur në gatishmëri të plotë të komunës kur është iniciuar projekti, veçanërisht të kryetarit Qemajl Mustafa, të cilin korporata e falënderon. Në këtë projekt Qeveria Zviceranë ka ndarë 10.5 milionë franga zviceranë, KEK-u ka investuar 600 mijë euro në rrjetin e tensionit të ulët që ndërlidhet me këtë projekt, ndërsa komuna e Gjilanit ka ndarë truallin për ndërtimin e tij. E tërë mbikëqyrja e projektit dhe punëve nga fillimi deri në fund është bërë nga KEK-u. Ky projekt do të inaugurohet gjatë ditëve në vazhdim pasi kanë përfunduar të gjitha punët e parapara me kontratë.