KEK sh.a. sqaron se RTK në emisionin qendror të lajmeve të djeshme, me 01.11.2012 ka lansuar të pavërteta në lidhje me shtyllat e dëmtuara. RTK-së i është thënë qartë nga KEK-u se janë dy shtylla që kanë qenë të rrezuara dhe janë rregulluar menjëherë nga ekipet e korporatës, ndërsa ky televizion në mënyrë tendencioze konstaton se KEK nuk e paska thënë të vërtetën dhe për këtë ka sjellur pamje të një shtylle të rrezuar të Postës dhe Telekomit të Kosovës, duke aluduar se kjo shtyllë është e KEK-ut. Korporata dënon fuqishëm këtë qasje tendencioze dhe këtë joprofesionalizëm të televizionit publik. Raportime të tilla që me anë të gënjeshtrave të mashtrohet opiononi publik dhe aq më tepër përmes raportimeve joprofesionale të quhet KEK-u si gënjeshtar janë të papranueshme dhe të dënueshme. Fakti është edhe më irritues pasi në mënyrën më transparente të mundshme televizionit në fjalë i është shpjeguar gjendja. KEK ka mision të vetin transparencën ndaj opinionit dhe ndërtimin e marrëdhënieve sa më të mira me të gjitha mediumet e vendit, por këto relacione duhet të jenë të dyanshme dhe t’i shërbejnë informimit të drejtë të publikut. Çdo qasje tendencioze, aq më tepër nga mediumi publik dëmtojnë këto relacione dhe mashtrojnë publikun. Prandaj, korporata kërkon nga secili medium që t’i verifikojnë faktet para lansimit të tyre dhe të mos bëjnë raportime tendencioze siç po vepron RTK.