KEK sh.a. sqaron se teksti i botuar të hënën, me 05.11.2012 në gazetën “Zëri” me titullin “Kompanitë serbe përfituan 56 milionë euro nga KEK-u” përmban në vete të dhëna të pasakta që dezinformojnë opinionin me huqje të mëdha dhe raportim joprofesional. Fillimisht quhen kompani serbe kompanitë “GEN-I” dhe “EGL”. KEK sqaron për opinioni se këto kompani nuk janë serbe, por GEN-i është kompani sllovene, ndërsa “EGL” është kompani zvicerane. Këto kanë degët e tyre në Ballkan, por i bie njëjtë të thuhet se “Coca Cola” është kompani serbe pasi paska degën e saj në Serbi! Vetëm Rudnap është kompani serbe prej të cilës KEK ka importuar energji elektrike në vlerën 2.3 milionë euro gjatë vitit 2011. Kjo bën që kompanitë serbe të kenë përfituar nga KEK-u më tepër se 20- fish më pak se sa raporton gazeta në fjalë. Kompania “Rudnap” është e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe korporata e ka obligim ligjor t’i shpallë fitues dhe t’i nënshkruajë kontratat me kompanitë që ofrojnë çmimet më të lira, përkatësisht më të favorshme. Këtë e rregullon Ligji i Prokurimit Publik të cilit i nënshtrohet KEK-u dhe nuk guxon të devijojë prej tij.
Huqje tjetër është edhe sa i përket blerjes së mazutit nga kompana kosovare “Ex-Fis”, pasi blerjet e mazutit nga kjo kompani janë afërsisht 10 herë më të vogla se sa shkruan gazeta në fjalë.
Gazeta është treguar joprofesionale duke shkelur parimet e gazetarisë pasi ia ka pamundësuar korporatës të përgjigjet në këto çështje. “Zëri” ka dërguar pyetje të dielën, në orët e vona të pasdites duke kërkuar të dhëna detaje që kërkojnë qasje në sistem dhe kalkulim të madh të të dhënave, pasi nuk ka pyetur sa ka qenë importi nga kompanitë serbe, por “Sa kompani serbe gjatë vitit të kaluar kanë përfituar tenderë nga KEK-u dhe sa ka qenë vlera e tyre”. E diela është ditë pushimi dhe sistemin askush nuk mund ta merr me veti në shtëpi. Për më tepër gazeta e ka pasur obligim të presë përgjigjet e korporatës për faktin se rasti në fjalë nuk ishte as ngjarje e as informatë ditore.