Për hir të së vërtetës KEK sh.a. është i detyruar të reagojë ne editorialin me titull “ Ndikimi i Serbisë në KEK” i autores Arbana Xharra i botuar në gazetën  dhe portalin “Zëri”  më 06 nëntor 2012. Gazeta “Zëri” në editorialin e saj “zbulon” skandale të përditshme, për te cilat nuk ka asnjë argument pasi që faktet tregojnë të kundërtën. Për herë të parë paslufte ka raport të auditorit të jashtëm pa asnjë kualifikim si dëshmi e menaxhimit të mirëfilltë, furnizim pa ndërprerje që nga muaji mars i këtij viti, ka investime në ambient që sjellin lajme të mira siç është ndërrimi i elektro-filtrit për njësinë A5 që u bë në muajin shtator, apo për njësinë A3 që do të kryhet në fund të këtij muaji si dhe rritje të performancës në të gjitha divizionet. Nga një kompani e dështuar dhe para likuidimit, KEK është shndërruar në kompani likuide që i kryen të gjitha obligimet e veta falë dyfishimit të inkasimit në katër vjetët e fundit, falë rritjes së vazhdueshme të prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit të konsumatorëve në mënyrë gjithnjë e më kualitative. Në editorialin në fjalë prapë si edhe në artikujt të ndërlidhur të kësaj gazete tentohet të demonizohet KEK-u për gjoja bashkëpunim me kompanitë serbe. Se kjo dezinformatë nuk ka të bëjë asgjë me realitetin e kemi dëshmuar dhe kemi prezantuar faktet disa herë. Në lidhje me importin e energjisë elektrike, KEK sh.a. dëshiron të potencojë tek publiku  se proceset prokuruese janë plotësisht transparente dhe të ndërmarra në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurim Publik të cilin KEK si ndërmarrje publike është i obliguar ta respektojë. Këtë e dëshmon edhe Auditori Gjeneral i cili është marrë me import-eksportin e energjisë elektrike dhe ka lëshuar raportin pa asnjë kualifikim të vetëm. Kompanitë që kanë të drejtë të ofertojnë në këtë tender duhet të jenë të licencuara pranë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, konform rregullave dhe ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës ndërsa kriter kryesor i përzgjedhjes se kompanive fituese të kualifikuara është çmimi më i ulët. Si rrjedhim, KEK-u është duke  arritur të sigurojë importin e energjisë elektrike me çmimet më konkurruese dhe me kushtet më të mira për korporatën  dhe gjithnjë me kompani te licencuara për shitblerjen e energjisë nga ZRRE të cilat konkurrojnë ne treg. Në këtë rast, KEK.sh.a. dëshiron të theksojë se plotësisht e përkrah të drejtën e lirisë së shprehjes dhe  kërkesat për mediet e lira dhe të pavarura. Megjithatë, ushtrimi i këtyre të drejtave dhe lirive kërkon përgjegjësi të plotë nga gazetarët. Në veçanti, gazetarët pritet të jenë sa më të saktë në raportimin e tyre, të kërkojnë burime të besueshme dhe të verifikojnë çdo informatë para publikimit. KEK u ka bërë disa herë ftesë mediave duke përfshirë edhe gazetën në fjalë që t’i drejtohen Zyrës për Komunikim në KEK për çfarëdo informate që u nevojitet, në mënyrë që informatat e plasuara të jenë të plota dhe zyrtare. KEK-u është i gatshëm gjithmonë të ulet dhe të bisedojë me secilin prej gazetarëve apo redaktoreve – në mënyrë të hapur dhe konstruktive – për çfarëdo çështje legjitime që i përket shqetësimit publik në lidhje me veprimtarinë e KEK-ut. Sido që të jetë, editoriali në fjalë ashtu si dhe artikujt paraprak, është shkruar në bazë të dhënave të pasakta dhe thirret në shkrime diskredituese pa kurrfarë baze. Është e qartë se autorja jo vetëm se e ka botuar këtë material me një qasje mospërfillëse ndaj verifikimit të të dhënave, por me një dijeni të plotë se informacionet e plasuara janë të rrejshme. Në këto rrethana, KEK-u rezervon të drejtën të sfidojë të gjitha deklaratat e pavërteta dhe dashakeqe të bëra në editorialin në fjalë, përmes të gjitha rrugëve që ia lejon ligji. Në ndërkohë, të gjithë  ata që janë të interesuar të mësojnë lidhur me situatën aktuale në KEK, i lusim që të vizitojnë edhe faqen zyrtare të KEK-ut (www.kek-energy.com) dhe të lexojnë Raportet e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2011, Raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm si dhe Prezantimin e performancës financiare të bërë në prill të vitit 2012 nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut.