KEK sh.a. sqaron se në portalin e lajmeve “Kosovapress” me datë 05.01.2011 dhe numrin e djeshëm, e enjte, 06.01.2011 të gazetës “Express”,është publikuar një shkrim i ngjajshëm, në të cilin shkruhet gjithçka, pos të vërtetës.
KEK sh.a. sqaron për lexuesit e këtyre dy mediumeve se shpifjet hasen qysh në fillim të lajmit të publikuar. Këto mediume pa fije turpi konstatojnë pa cituar askënd se “çmimet e energjisë elektrike në Kosovë qenkan më të lartat në rajon”. KEK sh.a. sqaron se çmimet e energjisë elektrike janë në grupin e më të ulëtave në rajon. Këtë konstatim nuk e jep Korporata, por ERRA- Shoqata e Rregullatorëve Rajonalë të Energjisë me seli në Budapest, që është organi zyrtar për matje dhe krahasim të çmimeve të energjisë elektrike në Evropën Qendrore dhe Lindore. Çdokush mund ta vërtetoj këtë informatë pa shumë mundë, duke vizituar këtë portal, por me sa duket kjo nuk ju ka shkuar në mend atyre që kanë dhënë këtë konstatim.
KEK sh.a. i cilëson konstatimet se “menaxherët e KEK-ut qenkan dështakë”, si tendencioze, të pamatura dhe fyese. Si mund të jetë dështak një menaxhment që për tri vjet ka rritur inkasimin nga 113 në 180 milionë euro, që ka arritur t’ua heqë nga mendja popullatës informatat se ra ky bllok apo ai bllok i termocentraleve nga puna, që ka arritur tash për muaj të tërë t’i furnizojë pa ndërprerje kategoritë A dhe B të konsumatorëve, që ka arritur të krijojë qëndrueshmëri të prodhimit të qymyrit (nga një gjendje kolapsi), ka arritur qëndrueshmëri në prodhim dhe furnizim me energji elektrike, ka arritur të zvogëloj humbjet e energjisë elektrike për 10% në dy vite, e mbi të gjitha e ka bërë Korporatën të vetqëndrueshme financiarisht (duke e marrë në gjendje pothuajse të falimentuar).
Edhe kur të dy mediumet në fjalë përdorin referenca, citohen individë të cilët kanë filluar ta humbin sensin e realitetit. KEK deri me sot asnjëherë nuk ka thënë se çmimi i energjisë elektrike do të shtrenjtohet, apo se ka kërkuar shtrenjtim. Kosovapress dhe Express ndërtojnë hipoteza të shtrenjtimit mbi spekulimet e mëhershme mediale, duke cituar individ si Myzejene Selmani, e cila njihet për shpifjet e saj në adresë të Korporatës dhe mungesën e njohurive për sektorin energjetik (të paktën për punën e Korporatës). Selmani thirret në gjendjen e rëndë sociale, për përmirësimin e së cilës gjendje vetë si politikane ka qenë përgjegjëse, e jo KEK-u si kompani komerciale.
“KEK qe tri vjet merr taksa të qytetarëve të Kosovës dhe akoma mendon që më ngritje të tarifave do ta mbulojë keqmenaxhimin brenda Koroporatës Energjetike të Kosovës”, citohet të ketë thënë “ekspertja” Selmani. Faktet e sipërshënuara tregojnë menaxhimin që ka nxjerrë Kosovën nga terri e jo keqmenaxhim. KEK sh.a. nuk ka marrë asnjë cent nga buxheti për shpenzimet e veta. Me paratë e buxhetit është subvencionuar importi, e kjo ka mundësuar që çmimet e energjisë elektrike të jenë më të lira, përkatësisht më të favorshmet në rajon. Tutje, sipas Selmanit në KEK menaxhmenti po merrka paga marramëndëse. Sërish është rrëshqitje nga realiteti në kohë dhe hapësirë. Siç edhe që është bërë tashmë publike, pagat e menaxherëve të KEK-ut, edhe pse kanë përgjegjësinë më të madhe, janë më të ulëtat në relacion me ndërmarrjet tjera publike.
Korporata është ndërmarrje e përgjegjshme dhe menaxhohet në përputhje me kërkesat e aksionarit, Ministrisë për ekonomi dhe financa. Raportimi i rregullt me këtë institucion është obligim i Korporatës dhe ndodhë në baza të rregullta. Përveq kësaj, Korporata raporton për punën e vet në Ministri për energji dhe miniera, Ministri të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (për qështje ambientale) si dhe përcjell tërë informatat e punës së vet në Zyrën e rregullatorit për energji (trup i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Kosovës). Pretendimet që bëhen nga znj. Selmani se Korporata nuk ndjenë përgjegjësi si ndërmarrje publike për të raportuar për punën e vet janë tërësisht të gabuara. Ky pretendim i saj vetëm tregon se ajo nuk ka fare njohuri se ku duhet të kërkoj informatat mbi punën e Korporatës. Për më tepër, ajo asnjëherë nuk i është drejtuar Korporatës me ndonjë kërkesë për çfarëdo informate. Duke e ditur që deri vonë ajo ka udhëhequr grupin parlamentar të Kuvendit për çështje të energjetikës, e bënë edhe më të dhimbshme realitetin se çfarë “eksperti” ka udhëhequr me një sektor të rëndësisë çfare është energjetika.
Në lidhje me Kosovapress dhe gënjeshtrat e fabrikuara të këtij mediumi, Korporata dëshiron që njëherë e përgjithmonë të bëjë publike një të vërtetë rreth këtij mediumi dhe qasjen joprofesionale të tij jo vetem karshi Korporatës. Kosovapress është agjension i lajmeve në pronësi të Skender Krasniqit. Ky i fundit ka qenë Kryesues i Bordit të drejtorëve të KEK-ut para më shumë se një viti. Me sa duket shkarkimi nga kjo pozite e ka prekur tej mase në sedër z. Krasniqi, i cili sot e asaj dite, prej kohës kur nuk mbanë postin e Kryesuesit të Bordit, ka nisur me publikimin e fyerjeve dhe informatave të pasakta rreth Korporatës dhe kundër menaxhmentit. Ne i bëjmë me dije z. Krasniqi se menaxhmenti nuk mund dhe as që vendosë se kush do të jetë në Bordin e Drejtorëve. Publikimi i informatave të pasakta, fyese e joprofesionale të këtij mediumi e kanë burimin pikërisht tek inati personal i z. Krasniqi dhe Korporatës nuk i bëjnë asnjë përshtypje dhe rrjedhimisht nuk do të merret me to në të ardhmen.
Korporata shprehë keqardhjen për ripublikimin e njoftimeve të tilla, jo vetëm në një rast, nga ana e gazetës Express. KEK sh.a. siguron publikun që do të vazhdoj me punën e mirë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve karshi konsumatorëve dhe do të aplikoj politikat më të mira për një afarizëm edhe më të suksesshëm, përkundër pengesave që individë të ndryshëm mundohen t’i vënë Korporatës.
Korporata mbetet e hapur për bashkëpunim me këdo që ka nevoje dhe dëshirë të dijë më shumë për Korporatën.