KEK sh.a. kundërshton fuqishëm akuzat publike të ndërmarrjes Termokos. KEK sh.a. sqaron se reduktimet e dhunshme për të cilat akuzon Termokos, kanë ardhur pikërisht pasi KEK-u po detyrohet ta kryej punën që nuk po e kryen kjo ndërmarrje. Pra, mbingarkesat të cilat korporata i ka bërë publike, janë krijuar pasi qytetarët e mërdhirë nga Termokosi po ngrohen me energji elektrike.
Dihet botërisht, se asnjë rrjet distributiv nuk është i dizajnuar për ngrohje, kur temperaturat shkojnë në -10 grandë celsius. KEK ka bërë vazhdimisht thirrje për kursim të energjisë elektrike dhe të përdoren forma alternative të ngrohjes. Por, qytetarët duke mos llogaritur fare në ndërmarrjen Termokos, po ngrohen krejtësisht me energji elektrike. Kjo përnjëherë e ka ngritur kërkesën për energji elektrike në Prishtinë me 35 për qind, duke bërë që kërkesa në kohë piku të shkojë në mbi 200 megavatë/orë. Në disa zona, ka aq mbingarkesa sa po tejkalohen kapacitetet e shpërndarjes në dalje dhe trafo.
KEK në këto situata nuk ka si të veprojë ndryshe, pos të bëjë reduktime të dhunshme, sepse po të mos veprohet ashtu, digjen asetet që kushtojnë miliona euro. E këto reduktime janë të paplanifikuara, prandaj KEK-u s’ka se si të lajmërojë Termokosin, apo konsumatorët tjerë të afektuar. Por, me të ndodhur këto, KEK-u vazhdimisht ka lajmëruar opinionin se çka po ndodhë, për të cilën janë në dijeni të gjitha mediat.
Mbingarkesat dhe lajmërimet kanë nisur qysh në fillim të këtij viti, kur Termokosi kishte pushuar të ngrohte qytetarët. Pra, këto mbingarkesa janë krijuar direkt si pasojë e mosfunksionimit të kësaj ndërmarrje. Ndërsa, edhe në atë kohë, duke treguar përgjegjësi, KEK krahas apeleve për kursim vazhdimisht kërkonte që të paguheshin edhe faturat për Termokosin në mënyrë që ta tejkalonte gjendjen e vështirë financiare. Prandaj, akuzat e tilla nga ndërmarrja në fjalë janë të papranueshme dhe situata është krijuar pikërisht për shkak të mosfunksionimit të Termokosit. Madje, kjo ndërmarrje në vend që të falënderonte KEK-un dhe t’i dilte në krah që po e bartë barrën e saj, po e bën të kundërtën. Dështimet e veta, të cilat e kanë vënë edhe rrjetin e KEK-ut në vështirësi, po mundohet t’ia veshë korporatës.
Termokosi tregohet ndërmarrje e papërgjegjshme edhe sa i përket obligimeve tjera ndaj KEK-ut. Kjo ndërmarrje i ka borxh KEK-ut fatura në vlerën prej 402 mijë eurosh edhepse vetë e kishin nënshkruar marrëveshjen me KEK në tetor të vitit të kaluar, por nuk i janë përmbajtur asnjëherë. Ndërsa, KEK-u nuk i ka asnjë cent borxh Termokosit.
Në këtë situatë, KEK sh.a. fton Termokosin që t’i kryej obligimet e veta si ndaj qytetarëve, ashtu edhe ndaj korporatës, e jo të përpiqet t’i mbulojë dështimet e veta dhe të shantazhojë të tjerët përmes deklaratave qesharake.