KEK sh.a. shpreh indinjatë të thellë lidhur me joprofesionalizmin e agjencisë Koha.net, e cila në protestën e vetëvendosjes ka përdorur foto të vjetra të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës. Teksti “Policia mënjanon skenën e Vetëvendosjes” nuk ka të bëjë asgjë me KEK-un, sikurse as protesta e Vetëvendosjes. Prandaj, korporata kërkon nga agjencia që të kërkojë falje, ta largojë menjëherë foton nga teksti dhe të mos përsërisë veprime të tilla në të ardhmen. Botimi i një fotoje të tillë e sulmon rëndë imazhin e korporatës, për të cilën mbi 7500 punëtorë po përpiqen ta ndërtojnë. Rreth korrupsionit e aktiviteteve të tilla nuk ka pasur protesta tash e shumë vjet ndaj KEK-ut, e kjo tregon se korporata është përmirësuar dukshëm drejt një imazhi të ri, që ka për objektivë kryerjen e misionit të vet, që është furnizimi pa ndërprerje i konsumatorëve me energji elektrike, krijimi i vetqëndrueshmërisë financiare dhe përmirësimi në të gjithë parametrat e korporatës. Prandaj, një veprim i tillë ku shkruhet për një temë të ndjeshme, KEK s’ka si ta merr ndryshe, pos si sulm direkt ndaj aktiviteteve të korporatës, pengesë në punën e përditshme që po sjellë përmirësime të jashtëzakonshme dhe ofendim ndaj të gjithë punëtorëve të saj.