KEK sh.a. sqaron se artikulli “Shtylla e tensionit të lartë para rrëzimit- rrezik për qytetarët”, të botuar në numrin e së mërkurës, datë 11.01.2011 në gazetën “Koha ditore”, përmban në vete konstatime të pavërteta. Ekipet e korporatës kanë qenë në vend të ngjarjes dhe kanë konstatuar se nuk ka asnjë rrezik. Prandaj, në një situatë të tillë KEK kërkon nga gazetarët që të mos japin vlerësime të pabazuara. Është fakt se shtylla ishte shtrembëruar si pasojë e erërave të forta, por korporata nuk ka mundur ta rregullojë menjëherë sepse kishte emergjenca tjera shumë më të rëndësishme. Vetëm në komunën e Klinës ishin 60 shtylla të rrëzuara krejtësisht, gjysma e të cilave të tensionit të lartë. Ndërsa, në tërë rajonin e Dukagjinit ishin mbi 600 shtylla të thyera dhe të rrëzuara. Asnjë qytetar nuk është rrezikuar dhe nuk ka pasur asnjë pasojë. KEK lidhur me këtë kishte bërë edhe apel publik.
Në një situatë të tillë ishin mobilizuar të gjitha ekipet e korporatës anekënd vendit që të normalizonin gjendjen, sidomos në zonat problematike të goditura më së shumti nga moti i lig, siç ishte Komuna e Istogut. Në një situatë të tillë të shkruash për një shtyllë të lakuar, korporata ska si e quan ndryshe, pos artikull tendencioz.
KEK sh..a sqaron se është e gatshme dhe do ta ndërrojë edhe shtyllën e lakuar në Sferkë shumë shpejtë, pas tejkalimit të gjendjes emergjente.
Ndërsa, sa i përket përgjigjes nga ana e korporatës, edhe gazeta e cekë se ka pritur vetëm dy orë, ndërsa një përgjigje e tillë është e pamundur të kthehet brenda asaj periudhe nëse merren parasysh rrethanat emergjente të cekura me lartë.