KEK sh.a. shpreh reagimin e vet ndaj raportimeve të pasakta që janë publikuar kohën e fundit në media me fokus aktivitetet në korporatë. KEK ua përkujton medieve se është përgjegjësi e tyre t’i verifikojnë faktet e jo të publikojnë spekulime dhe deklarata që bien ndesh me të vërtetën.
KEK sh.a. sqaron se teksti “KEK “tymon” milionat pa hapur tender” i botuar të martën, me 21.02.2012 në gazetën “Tribuna shqiptare” përmban në vete pasaktësi që e dezinformojnë opinionin. KEK sqaron sërish se për riparimet në termocentralin “Kosova B” ku përfshihen edhe pajisje të veçanta për të cilat kërkohet specializim konkret nuk ka pasur rrugë tjetër, pos të bëjë prokurimin direkt me prodhuesin e këtyre pajisjeve. KEK e përkujton edhe njëherë opinionin se negociatat direkte me kompaninë Alstom ishin bërë pas aprovimit nga ana e Agjencionit të Prokurimit Publik në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik.
KEK sqaron se këshilltarët e vet ndërkombëtarë nuk merren me vlerësimin e tenderëve, por bëjnë vëzhgimin e proceseve prokuruese që të evidentohet se një proces prokurues apo kontraktues është bërë në mënyre transparente dhe ashtu siç e përcaktojnë ligjet e Kosovës dhe a janë ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare. KEK sh.a. dënon fuqishëm lansimin e spekulimeve të tilla të bëra nga gazeta “Tribuna shqiptare” dhe nga Avni Zogiani nga organizata ÇOHU.