KEK sh.a. sqaron se akuzat e ish- Drejtoreshës Menaxhuese të KEK-ut, Pranvera Dobruna-Kryeziu në lidhje me tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve janë të pasakta dhe e dezinformojnë opinionin. Dobruna-Kryeziu citohet duke e akuzuar KEK-un se gjoja korporata i paska pajisjet për pastrim bore dhe se sa ishte ajo në krye të korporatës asnjëherë nuk paska shpenzuar para për pastrim me anë të kontraktorëve. Faktet flasin të kundërtën. Korporata nuk ka pajisje për pastrim të borës, ndërsa sa udhëhiqej nga znj. Dobruna-Kryeziu KEK-u jo vetëm që kishte ndarë mjete, por kishte shpenzuar për pastrim të rrugëve shumëfish më tepër se tash. Gjatë asaj kohe, vetëm gjatë dimrit 2006-2007 ishin shpenzuar afro 150 mijë euro me kontraktorë të jashtëm për këtë qëllim, për çka mund ta shihni edhe kontratën nëse dëshironi. Atëherë ishin shpenzuar mjete në bazë të parashikimeve, pra pavarësisht a do të binte borë dhe reshje tjera a jo, pasi ishte shumë fikse, ndërsa tash KEK-u ka kontratë sipas nevojës dhe shpenzon në bazë të kilometrave të pastruar. Pra, nëse s’ka reshje, shpenzimi është zero.
Znj. Dobruna-Kryeziu akuzon për mosmirëmbajtje të pajisjeve. Si mund të mirëmbahen pajisjet që nuk ekzistojnë!? Sa i përket pajisjeve tjera, ato mund të mos jenë mirëmbajtur si duhet sa drejtonte ajo KEK-un, por tashmë gjendja ka ndryshuar. Stabilizimi i vazhdueshëm i prodhimit, furnizimi pa asnjë problem me qymyr i termocentraleve dhe përmirësimi i funksionimit të të gjithë sektorëve të KEK-ut edhe pse pajisjet janë më të vjetra, tregon mirëmbajtje shumë më të mirë të pajisjeve se sa në kohën kur znj. Dobruna-Kryeziu udhëhiqte KEK-un. Korporata nuk po shpenzon mjete kot, sepse mirëmbajtja që tash është disa fish më e lirë se më herët, është e domosdoshme. Mjetet kot ishin shpenzuar pikërisht në kohën e znj. Dobruna- Kryeziu.
Atëherë ishte koha e luksit dhe e shpenzimeve enorme, për të cilat ju mund ta pyesni znj. Dobruna-Kryeziu. Faktet flasin se si menaxhimi dhe e mirëmbajtja e aseteve ashtu edhe menaxhimi i kontratave është dukshëm në nivel më të lartë sot se gjatë periudhës kur udhëhiqte KEK-un znj. Dobruna-Kryeziu.
Prandaj, akuzat e znj. Dobruna-Kryeziu janë të pabaza sepse gjendja nuk është si ka qenë në kohën e saj, por ka ndryshuar skajshmërisht për të mirë.