Siç edhe jam deklaruar edhe më herët për opinionin, lidhur me dyshimet e ngritura rreth tenderit të sigurisë fizike në KEK, kam qenë, jam dhe do të jem i gatshëm të bashkëpunoj me organet e drejtësisë. Deri më tani, çdo here i jam përgjegjur hetuesisë dhe prokurorit special për të sqaruar çdo dyshim lidhur me këtë çështje. Si Drejtor i KEK-ut, por edhe si qytetar i Republikës së Kosovës, kërkoj që sa më shpejt që të jetë e mundur, të kem shansin dhe mundësinë që para gjykatës të dëshmoj të vërtetën dhe pafajësinë time lidhur me pozitën time si Drejtor Menaxhues i KEK-ut. Përndryshe, edhe unë, jam njoftuar përmes medieve dhe, zyrtarisht, as une e as mbrojtësi, im nuk kemi pranuar ndonjë shkresë zyrtare, andaj për momentin nuk mund të kemi ndonjë koment. Posa ta pranoj, zyrtarisht aktakuzën, në ditët në vijim do të mund të japë opinionet e mia më të hollësishme. Nga përvoja e së kaluarës në Kosovë është dëshmuar se ka patur shume raste, ku zyrtarë të ndryshëm publikë janë akuzuar, publikisht, dhe në fund drejtësia i ka shpallur të pafajshëm andaj kisha kërkuar mirëkuptim, që të mos paragjykohet fajësia e askujt në KEK sh.a,  përderisa  drejtësia nuk e ka thënë fjalën e vetë përfundimtare. Unë kam besuar dhe fuqishëm besoj ne drejtësi, dhe ajo do te mbizotërojë.