KEK sh.a. shpreh mospajtime në lidhje me reagimin e organizatës STARS rreth aplikimit tarifor. Kjo organizatë thotë se kërkesa për rritje vije si pasojë e shpenzimeve operative të korporatës. Kjo nuk qëndron, sepse në aplikimin për rritje të tarifave, korporata nuk ka paraparë rritje në shpenzimet operative, përkundrazi ka paraparë zvogëlim të tyre.
Sa i përket humbjeve komerciale, korporata edhe në aplikimin tarifor ka paraparë zvogëlim të tyre dhe trendet edhe këtë vit janë pozitive, pra në janar 2012 në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar kemi zvogëlim prej 6 për qind.
Kjo organizatë thirret edhe në mungesën e përformancës së korporatës. Ky konstatim nuk qëndron sepse korporata gjatë vjetëve të fundit ka treguar përformancë për lakmi. Është shënuar rritje e vazhdueshme në të gjithë parametrat, si në prodhim të qymyrit, të energjisë elektrike, të faturimit dhe të inkasimit. Madje, në dy parametrat e fundit rritja ka qenë vazhdimisht dyshifrore.
Sa i përket kërkesës së organizatës për zvogëlim të borxhit, korporata e ka këtë mision. Aplikimi tarifor bëhet për t’u mbuluar kostoja e prodhimit dhe distribuimit të energjisë elektrike, pra për energjinë që prodhohet, shpërndahet dhe u faturohet konsumatorëve brenda një viti.
Sa i përket kërkesës për 23 për qind, ky ka qenë obligim ligjor i korporatës në bazë të metodologjisë tarifore të aprovuar nga ZRRE, që është obligative për KEK-un. Por, në aplikim kjo përqindje nuk është strikte, sepse janë ofruar edhe dy variante, pra për rritje 12 për qind, deri në variantin e fundit ku kërkohet që rritja të jetë 9 për qind.