KEK sh.a. sqaron se teksti i botuar të premten, më 04.01.2013 në gazetën “Zëri” me titullin “3 milionë euro për tregtarët serbë të energjisë”, nuk është thënë e vërteta. Pasaktësitë nisin qysh në titull dhe nëntitull. Korporata edhe një herë sqaron se kompania GEN-i nuk është kompani serbe, por sllovene (gjeni bashkangjitur komunikatën e dërguar nga kjo kompani javë më parë për mediat kosovare) dhe se nuk e ka shpërblyer askënd siç konstaton gazeta në fjalë, por ka shpallur fitues ofertat e përgjegjshme në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) dy kompanitë që janë të licencuara në Kosovë. Gazeta konstaton se “KEK shpenzon shumë më shumë se sa prodhon”. Korporata sqaron se nuk shpenzon vetë energji elektrike se sa prodhon, por konsumatorët. Pra, kërkesa për energji elektrike në kohën e dimrit i tejkalon kapacitetet prodhuese të KEK-ut. Gazeta konstaton se kompanitë e apostrofuara, GEN-I dhe Rudnap do “të marrin hiç më pak se 3 milionë euro për pesë muajt e ardhshëm”. Ky është paragjykim i gazetës i nxjerrë nga vlerësimi paraprak i përafërt i korporatës, dhe nuk e paraqet realitetin. Pasi bëhet fjalë për import të energjisë elektrike Emergjente dhe Day Ahead që kontraktohet për të rritur sigurinë e furnizimit në rast të situatave të papritura, mund të ndodhë që kjo shifër të jetë shumë më e ulët, apo të mos ketë fare import të këtij lloji. Gazeta “Zëri” konstaton se GEN-I dhe Rudnap qenkan kompani të privilegjuara nga KEK-u. Korporata sqaron se vepron në përputhje të plotë me LPP-në dhe nuk po e privilegjon apo privon askënd në asnjë tenderë. Madje, import-eksporti i energjisë elektrike ka qenë subjekt i auditimit edhe nga ana e Zyrës së Auditorit Gjeneral dhe raporti i këtij auditori është pa asnjë kualifikim. Gazeta sërish rishkruan tekstet e veta të mëparshme se gjoja KEK u paska dhënë kompanive serbe 56 milionë euro gjatë vitit 2011. Sërish kjo nuk është e vërtetë pasi gazeta është marrë në bazë të vlerësimeve paraprake dhe duke e quajtur kompaninë sllovene GEN-i kompani serbe. KEK sqaron se ka importuar nga kompania Rudnap gjatë atij viti energji elektrike në vlerën prej 2.3 milionë eurosh që është dhjetëra fish nën vlerën e konstatuar nga gazeta Zëri. Gazeta “Zëri” në tekstin në fjalë ka edhe huqje tjera. Tash, pos GEN-I’in e quan kompani serbe edhe kompaninë zvicerane EGL! KEK nuk pajtohet assesi me këto konstatime që nuk e thonë të vërtetën dhe nuk është hera e parë që gazeta “Zëri” shkruan dhe konstaton të pavërteta të tilla rreth importit të energjisë elektrike. Korporata kërkon nga mediat që t’i verifikojnë faktet para se t’i botojnë dhe në rastet specifike t’i marrin të gjitha palët e involvuara, në këtë rast edhe kompaninë GEN-I në mënyrë që të del e vërteta në shesh. Kjo kërkesë vije pasi po akuzohet KEK-u pa të drejtë duke u lidhur në pronësinë e kësaj kompanie, kur kjo vetë deklaron se është kompani sllovene dhe u është drejtuar medieve kosovare që ta konsiderojnë si të tillë. Post scriptum: KEK kërkon që ky sqarim të botohet në të njëjtin vend ku është botuar artikulli në gazetën “Zëri”, duke përfshirë edhe ballinën. Në rast se ky sqarim nuk botohet në bazë të kërkesës së korporatës dhe parimeve bazë të gazetarisë, atëherë jemi të detyruar t’i drejtohemi organeve relevante të drejtësisë.