KEK sh.a. sqaron se në tenderin "Fushata edukuese dhe sensibilizuese për publikun" Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë dy vendime tërësisht kontradiktore me njëra tjetrën.
Fillimisht KEK kishte shpallur fitues kompaninë me çmimin më të ulët pas konsultimit dhe rekomandimeve me shkrim nga ana e KRPP-së (Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik). Por, një kompani tjetër konkurrente ishte ankuar. OSHP kishte konstatuar se duhet kthyer lënda në rivlerësim me pretendim se oferta e kompanisë së përzgjedhur nuk është e përgjegjshme. KEK, në bazë të vendimit të OSHP-se, që ishte në kontradiktë me rekomandimet e KRPP-se, por që korporata është e obliguar ta zbatoje kishte konkluduar se është vetëm një operator ekonomik i përgjegjshëm. OSHP nuk kishte lënë asnjë mundësi që operatori i shpallur fitues nga KEK-u të ishte i përgjegjshëm, duke i cekur disa pika që OSHP i kishte quajtur shkelje.
Në rastet e tilla pasi tenderi ishte shpallur për herë të parë KEK nuk ka mundur ta shtyjë këtë lëndë tutje, por kishte vendosur ta anulonte procesin sepse nevojiteshin së paku dy oferta të përgjegjshme në bazë të ligjit të prokurimit publik. Ndërkohe, në OSHP është ankuar me pas Operatori Ekonomik (OE) të cilin KEK-u e kishte shpallur fitues por ishte detyruar ta shpallte të papërgjegjshëm pasi një gjë të tillë e kishte kërkuar qartë OSHP me vendimin parë. Ishte pikërisht ky organ që kishte konstatuar në vendimin e parë se zgjedhja e OE “New Film & The Group” është joligjore dhe paraqet shkelje ligji në disa pika. Por, OSHP ka “harruar” çfarë konstatimesh kishte bërë për ofertën e këtij OE dhe ia kishte miratuar ankesën edhe këtij.
Këtu vije edhe çudia se si mund të vendosë një ekip profesionistësh, sepse në vendimin e dytë OSHP akuzon KEK-un se ka vepruar në bazë të rekomandimeve të vetë këtij organi. Aty akuzohet KEK-u pse e paska shpallur të papërgjegjshëm këtë operator dhe e ka anuluar tenderin në bazë të mungesës së dy ofertave. Në gjuhën popullore kjo i bie “hyp se të vrava, zbrit se të vrava”.
Vendimi i dytë i OSHP-së është komplet kundër vetvetes dhe shkelësja e vetme e ligjit në këtë rast është pikërisht OSHP. Ky organ në bazë të analizimit të vendimeve shihet qartë që vendosë në bazë të preferencave për operatorët dhe cilido operator që ankohet ky organ po i jep të drejtë.
Sido që të jetë, KEK-u do të ndërmerr hapa konform ligjit si gjithmonë.
Kjo nuk është hera e parë që ky organ merr nga dy vendime kontraverze ndaj KEK-ut për të njëjtin proces tenderues. Sigurisht, rastet e tilla do të duhej t’i shqyrtonin dhe të merreshin me to edhe organet e drejtësisë.