KEK sh.a. njofton se ka arritur të stabilizojë furnizimin me energji elektrike në mëngjesin e së shtunës. Kjo është arritur me kthimin në punë të njësisë B1. Blloku është kthyer pas angazhimit të jashtëzakonshëm të punëtorëve të KEK-ut, të cilët përkundër acarit të madh që po mbizotëron këto ditë, nuk janë ndalur asnjëherë së punuari për ta normalizuar gjendjen. Tashmë kategoria A dhe B po furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike, përderisa reduktime ka vetëm për kategorinë C.
Gjendja ishte rënduar pas ngricave të cilat kishin bërë që të ketë mosfunksionim të stabilimenteve.
Pas normalizimit, vështirësi në furnizim ka në rajonin e Ferizajt dhe Gjakovës, ku erërat e forta dhe moti i lig kanë shkaktuar rreth 15 prishje. Por, ekipet e mirëmbajtjes së KEK-ut janë në terren dhe janë duke i sanuar të gjitha këto prishje në kohën më të shkurtër të mundshme.
Tashmë, në sistem janë katër njësi, përderisa KEK-u ka siguruar edhe sasinë maksimale të importit që ishte e mundur të blihej në këtë kohë, pasi ka mungesa të theksuara edhe në rajon.
Kërkesa ka arritur në nivelet maksimale deri në 1300 megavatë/orë. Që të jetë furnizimi sa më i mirë dhe sa më stabil, korporata apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike, pra konsumatorët që kanë mundësi të ngrohen me forma alternative ta bëjnë këtë në mënyrë që të ruhet sistemi.
Faleminderit në mirëkuptim.