KEK sh.a. njofton se dje, me 20.12.2011 në fshatin Dejn të Rahovecit është sulmuar ekipi i KEK-ut i përbërë prej 2 specialistëve të daljes, përkatësisht Mustafa Kelmendi dhe Sadri Krasniqi dhe arkëtari Blerim Kabashi. Konsumatori problematik Xhavit Haxhi Krasniqi i cili nuk paguan faturat e energjisë elektrike dhe çdo muaj rikyçet vet pas shkyçjes që i bën KEK-u, duke e kyçur edhe lokalin ilegalisht, e sulmon specialistin Mustafa Kelmendi pa asnjë arsye duke e goditur në fytyrë, kokë dhe trup deri në momentin kur e tërheqin kolegët dhe e dërgojnë në veturën zyrtare. Sulmuesi nuk është ndalur me kaq duke e sulmuar edhe veturën zyrtare. Kishte intervenuar edhe Policia e Kosovës, por nuk e kanë gjetur personin për ta arrestuar. Korporata e ka lajmëruar rastin për procedim të mëtutjeshëm tek organet e rëndit.
Ndërsa sot, me 21.12.2011 në fshatin Dumnicë të Podujevës specialistët e daljes Mustafë Podvorica, Ilaz Jashari,Muhamet Ahmeti,Ilir Softolli dhe Naser Kuleta janë kërrcënuar me thikë nga konsumatorët e këtij fshati.
KEK sh.a. dënon ashpër këto raste të shëmtuara që po përsëriten në vazhdimësi dhe kërkon nga organet e rëndit dhe të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha masat ndaj personave në fjalë në mënyrë që të marrin dënimin e merituar. Rastet e tilla nuk guxojnë të ndodhin assesi, sepse janë pengesë e madhe si për punën e korporatës ashtu edhe për kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.
KEK-u apelon tek të gjithë konsumatorët që të mos pengojnë punëtorët sepse ata po i kryejnë detyrat zyrtare që ua cakton korporata.