Një delegacion i lartë i Bankës Botërore, i udhëhequr nga znj. Laura Tuck, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, më 12 mars 2015, vizitoi KEK-un. Me këtë rast delegacioni vizitoi termocentralin “Kosova A”, termocentralin Kosova B, ish deponinë e hirit dhe zonën e ish- Gasifikimit. Gjatë kësaj vizite, delegacioni u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj si dhe menaxhmenti i KEK-ut. Delegacioni i Bankës Botërore u informua nga z. Gjukaj për gjendjen, rezultatet e arritura dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u . “Ne mbesim të përkushtuar në punën tonë dhe në ngritjen e nivelit të sigurisë. Pas tronditjes së pësuar me 6 qershor, të përcjell me humbjen e dy të punëtorëve të devotshëm të korporatës, kemi arritur që të ndërmarrim te gjitha veprimet për kthim në afat më të shpejt të mundshëm të prodhimit të qëndrueshëm sipas bilancit energjetik. Pas aksidentit të datës 06 qershor 2014, përkundër të gjitha sfidave, të gjitha veprimet e ndërlidhura me remontin e njësive në Termocentralin Kosova A, tashmë kanë përfunduar. Në këtë vijë njësia A4,  pas një periudhe disa mujore të riparimit, tashmë është në fazën e testimeve të fundit, për t’u lëshuar në punë”. Më tej, delegacioni u informua edhe në lidhje me investimet e bëra në projektet ambientale, të finalizuara në fillim të këtij viti, siç janë ndërrimi i elektro-filtrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”, transporti hidraulik i hirit, rehabilitimi kodrave të hirit dhe eliminimi i materieve të rrezikshme ne zonën e ish Gasifikimit. Të gjitha këto projekte  u realizuan me mjetet vetanake të KEK-ut, donacionet e Bankës Botërore dhe të Mbretërisë Holandeze. Në lidhje me këtë, z Gjukaj falënderoi Bankën Botërore dhe Qeverinë Holandeze për përkrahje te vazhdueshme. Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore, znj.Tuck u nda mjaftë e kënaqur me punën të cilën po e bën menaxhmenti i KEK-ut.