KEK sh.a. njofton se ka nisur implementimi i projektit për transport hidraulik të hirit nga blloqe e Termocentralit “Kosova A”. Kontraktori që kishte fituar në tender, kompania Dobersek do ta kryejë komplet punën brenda vitit 2011. Kostoja totale e projektit është 8.6 milionë euro, nga të cilat 7.6 milionë janë investime vetanake të KEK-ut, ndërsa 1 milion euro janë kontribut nga Banka Botërore. Me implementimin e këtij sistemi do të zvogëlohet emisioni i grimcave të pluhurit deri në 80 për qind. Grimcat e pluhurit qe dalin nga shiratat transportues kanë ndikim të madh në ambient. “Kete projekt KEK-u e ka marrë me seriozitetin më të madh për shkak të rëndësisë që e ka dhe eleminimit të impaktit në ambient. Korporata do t’ju jap përkrahjen e plotë. Të njëjtën kohë presim nga ju që të kryeni punën me sukses të plotë dhe në afatin e parapare”, u tha kontraktorëve z. Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv i Shërbimeve të korporatës në KEK. Kompania Dobersek e specializuar në kryerjen e punëve të tilla është zotuar të kryejë punën siç parashihet me kontratë. Në bazë të projektit përfundimisht do të eliminohet bartja e hirit me shirita deri në Kodër të hirit, duke u zëvëndësuar me bartje hidraulike prej bunkerëve të termocentralit “Kosovas A” drejt minierës së zbrazur të Mirashit. Eliminimi i Shiritave transportues për bartje të hirit, përveç që largon problemin e hirit fluturues në ambient gjithashtu mundëson edhe kompletimin e rehabilitimit të Kodrës së Hirit konform dizajnit të projektuar. Termocentrali “Kosova B” ka kohë që e ka të instaluar këtë sistem. Ky projekt edhe njëherë fuqishëm potencon përkushtimin e Korporatës drejt eliminimit të ndikimeve negative në ambient nga operimi i KEK-ut. Projektet e mëdha ambientale në KEK kishin nisur në pjesën e fundit të vitit 2009 me pastrimin dhe rehabilitimin e Kodrës së Hirit pranë TC “Kosova A”, pastrimin e 18 mijë tonelatave të mbetjeve të rrezikshme kimike nga fabrika e mëhershme e KEK-ut për Separime Kimike, mbjellja e fidaneve në katër deponi të djerrinës, përkatësisht në deponinë “Kalaja” ku vetëm janë mbjellur fidanet e projekti është në vazhdim edhe në deponitë “Lugu i Thellë”, “Vasileva dhe “Deponia jugore”, mbjellje e cila do të bëhet gjatë viteve  2011 e 2012 ku planifikohen të mbillen rreth 300,000 fidane. Kostoja totale e këtyre projekteve shkon në mbi 20 milionë euro, me burime të financimit nga vetë KEK-u, Banka Botërore dhe Qeveria holandeze.