Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Korporatën Energjetike të Kosovës, ku u njoftua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, për përformancën dhe realizimin me sukses të projekteve, ecurinë e punës, kushtet e punëtorëve, rezultatet, sfidat dhe objektivat e KEK-ut, gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Gjatë vizitës, Kryeministri Mustafa u shoqërua edhe nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, zëvendësministri i MAPL-së Bajram Geci si dhe anëtarë të kabinetit qeverisës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe drejtorët Ekzekutive të KEK-ut,
Pas takimit, dhe vizitës në stabilimentet prodhuese te Kosovës A, z. Mustafa, falënderoi Drejtorin Menaxhues dhe menaxhmentin e KEK-ut, për pritjen dhe njëkohësisht premtoi përkrahjen e plotë në realizimin e projekteve strategjike,
“U njoftuam me funksionimin dhe problemet aktuale me të cilat po ballafaqohet KEK-u, por edhe me perspektivën e zhvillimit të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo është një fushë tepër e rëndësishme e zhvillimit ekonomik, ju e dini se jemi përcaktuar ta ndërtojmë një termocentral të ri, Termocentralin Kosova e Re, ne po ashtu përkrahim studimin e fizibilitetit rreth rivitalizimit të termocentralit Kosova A, mirëpo duke plotësuar edhe kriteret e ambientit edhe kriteret e tjera, gjithashtu edhe investimeve shtesë në Kosoven B, pastaj biseduam edhe për problemet tjera zhvillimore dhe Ligjin për Obiliqin që ndërlidhet edhe me KEK-un, dhe bashkëpunimin e KEK-ut me Komunë, theksoi Kryeministri”
z. Gjuka pas takimit theksoi;
“E njoftova Kryeministrin dhe stafin e tij për proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, aktivitetet dhe rezultatet e arritura operuese dhe mjedisore. Si rezultat i punës së mirë ekipore, KEK-u, ka arritur që vitin 2015 ta përmbyllë me sukses sa i përket prodhimit të energjisë elektrike dhe si pasojë Kosova ka arritur që të eksportoj më shumë energji elektrike se sa të importoj. Në këtë rast, jemi dëshmitarë të përfundimit të suksesshëm të investimeve të filluara tash e katër vite në mbrojtje të mjedisit, që kapin shumën prej mbi 50 milion Euro, kryesisht nga mjetet vetanake”.