Për hir të korrektësisë dhe për sqarim të opinionit, KEK duhet të reagojë lidhur me artikullin e botuar në të përditshmen TRIBUNA, më 12 tetor 2013, e shtunë me titull ‘Gjysmë milioni euro për gjashte persona’. Duke mos paragjykuar të dhënat në këtë artikull, KEK sh.a. sqaron se Bordi i Drejtorëve është paguar gjithmonë konform Ligjit për Ndërmarrjet Publike (ligji nr. 03-L- 087) si dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike (ligji Nr. 04/L-111). Ndërsa, për dallim nga informata dhënë ne artikull, ky Bord nuk ka marre shpërblim të performancës për vitin 2013, pasi që ajo paguhet vetëm pasi të ketë përfunduar auditimi i pavarur i pasqyrave financiare për vitin financiar përkatës. Pagesa e përmendur në artikull edhe pse e paguar në këtë vit, ka të bëj me performancën e vitit paraprak dhe është paguar konform me dispozitat ligjore.
Sa për informim të opinionit çështja e pagesës së bordeve është audituar më herët nga njësia e auditimit të brendshëm, me kërkesë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Njësia për Ndërmarrje Publike si dhe, aktualisht, është duke u pritur një raport nga Zyra e Auditorit te Përgjithshëm po për këtë çështje.
Me këtë rast, KEK falënderon Bordin e vjetër për kontributin e çmueshëm gjatë mandatit të tyre gati pesëvjeçar dhe njëkohësisht zotohet se do t’i ofrojë të gjithë përkrahjen e duhur edhe Bordit të ri, të emëruar së voni nga Aksionari, për të ecë përpara me projektet shumë të rëndësishme në sektorin energjetik.