Për hir të korrektësisë dhe për sqarim të opinionit, KEK sh.a. duhet të reagojë, lidhur me komunikatën  me titull “Probleme me njësitë gjeneruese  të KEK” e lëshuar sot, më 18 tetor 2013 nga KEDS. Si edhe vitin e kaluar, gjatë muajve të fundit prodhimi i energjisë elektrike dhe performanca e blloqeve të termocentraleve të KEK-ut është shumë stabile. Për më tepër, në kushtet kur disa prej njësive ekzistuese  kanë tejkaluar jetëgjatësinë e tyre, prodhimi i energjisë elektrike nga njësitë gjeneruese të KEK-ut është më i mirë se në cilëndo periudhë para dhe pas vitit 1999. Përndryshe, siç edhe opinioni është në dijeni, nga data 08 maj  2013, KEK nuk ka asnjë autorizim për furnizim të konsumatorëve fundorë me energji elektrike, pasi që licenca për furnizim është bartur tek KEDS-i, me aprovim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, si pjesë e procesit të shthurjes dhe privatizimit të operimit të shpërndarjes dhe furnizimit. KEK i dërgon në baza të rregullta informatat rreth orarit të disponueshmërisë së blloqeve të termocentraleve tek KEDS-i, qe është bartës i licencës së furnizuesit publik, dhe i cili ka obligim ligjor të përkujdeset rreth mbulueshmërisë së kërkesës vendore për energji elektrike. Është e vërtetë se për shkak të disa problemeve të natyrës teknike, në njësinë që tashmë ka mbushur 45 vjet, KEK ka ndalur bllokun A5, i cili pritet të kthehet në punë, në kohen më të shpejtë të mundshme. Mirëpo, në anën tjetër dy njësitë e Kosovës B si dhe njësia A3 janë duke prodhuar me kapacitet optimal deri me 660 MWh/h. Në bazë të shënimeve të realizimit të konsumit të djeshëm, kjo sasi e prodhimit do të mjaftonte për mbulimin e konsumit vendor, po të mos kishte eksport të energjisë elektrike nga ana KEDS-it. Për këto arsye, KEDS-i, si bartës i licencës së furnizuesit publik, nëse me të vërtetë, ka si objektiv përmbushjen e obligimit  ligjor të furnizimit të rregullt të konsumatorëve, siç ishte rasti me KEK-un kur  ishte bartës i licencës së përmendur, duhet të ketë prioritet mbulimin e konsumit vendor si dhe të planifikojë mbajtjen e opcioneve kontraktuese të importit emergjent për shkaqe sigurie e jo të justifikohet para konsumatorëve duke i dezinformuar ata.