Lidhur me reagimet dhe interpretimet që po bëhen rreth kontratës trevjeçare për shitjen e qymyrit ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.) dhe JSC ESM, është e nevojshme që disa çështje të sqarohen qartë, me fakte dhe në kontekstin real të funksionimit të sektorit energjetik.
Para së gjithash, duhet të jetë e qartë se përgjegjësitë në sektorin energjetik të Kosovës janë të ndara.
Që nga ndarja e aktiviteteve të rrjetit dhe distribuimit në vitin 2013, aktiviteti primar i KEK Sh.A. është eksploatimi i qymyrit dhe prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa përgjegjësia për furnizimin e konsumatorëve universalë i takon kompanisë së licencuar për furnizim.   Prandaj, ndërlidhja e marrëveshjes për shitjen e qymyrit me importin e energjisë elektrike është e pasaktë dhe ekonomikisht e pabazuar. Bëhet fjalë për dy procese të ndryshme, me përgjegjësi, qëllime dhe operatorë të ndryshëm.   KEK-u nuk është kompania që vendos se kur dhe sa energji elektrike importohet për furnizimin e konsumatorëve. Për këtë arsye, krahasimi i vlerës së kontratës prej deri në 73.2 milionë euro me shpenzimet për import të energjisë nuk paraqet analizë të profitabilitetit të kësaj marrëveshjeje.
KEK-u energjinë elektrike që e ofron për nevojat e furnizimit universal e shet me çmim rreth 29.5 euro/MWh. Për prodhimin e një MWh energji elektrike, TC Kosova A konsumon afërsisht 1.5 ton qymyr, ndërsa TC Kosova B rreth 1.3 ton, apo mesatarisht rreth 1.35 ton qymyr për MWh.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se çmimi prej 29.5 euro/MWh është çmim me të cilin KEK-u e ofron energjinë për nevojat e furnizimit universal dhe nuk mund të krahasohet mekanikisht me çmimet e tregut të energjisë apo me çmimin e shitjes së qymyrit.   Për më tepër, shitja e energjisë me çmim nën koston e prodhimit është evidentuar edhe si çështje në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, çka duhet të merret parasysh kur bëhen krahasime mbi të hyrat dhe profitabilitetin e KEK-ut.
Nga ana tjetër, sipas marrëveshjes me JSC ESM, qymyri shitet me 24.4 euro për ton, pa TVSH, me çmim të pandryshuar gjatë gjithë periudhës 36-mujore.
Prandaj, vlerësimi ekonomik i kësaj marrëveshjeje duhet të bëhet mbi kushtet konkrete të kontratës, çmimin e arritur, kostot, detyrimet që merr përsipër secila palë dhe përfitimin konkret për KEK-un, dhe jo duke e krahasuar vlerën e saj me importin e energjisë elektrike.
Një element veçanërisht i rëndësishëm është edhe mënyra se si është realizuar shitja e qymyrit në të kaluarën.   KEK-u ka pasur raste kur qymyri është shitur përmes operatorëve ekonomikë privatë ndërmjetësues, me çmime dukshëm më të ulëta, në raste të caktuara rreth 8 euro për ton, ndërsa përdoruesi përfundimtar ka qenë pikërisht JSC ESM.
Me marrëveshjen aktuale, KEK-u shet drejtpërdrejt te JSC ESM, pa ndërmjetësues dhe me çmim prej 24.4 euro për ton, duke bërë që përfitimi financiar nga kjo marrëdhënie komerciale të mbetet drejtpërdrejt te KEK.
Ky është një ndryshim thelbësor: eliminohet ndërmjetësimi dhe maksimizohet vlera që KEK-u realizon nga resurset e veta.
Po aq e rëndësishme është të sqarohet se kjo marrëveshje nuk cenon furnizimin normal të termocentraleve të KEK-ut me qymyr dhe nuk rrezikon prodhimin vendor të energjisë elektrike.
Sipas kushteve të kontratës, KEK-u nuk ka asnjë obligim lidhur me eskavimin, transportin e qymyrit apo operacionet e tjera logjistike për tërheqjen e tij. Të gjitha këto përgjegjësi i bart blerësi, JSC ESM, ndërsa KEK-u inkason mjetet për sasitë e qymyrit të tërhequra.
Nevojat e termocentraleve dhe prodhimi i energjisë elektrike mbeten prioritet operacional i KEK-ut.   Pikërisht për këtë arsye, pretendimi se vlera potenciale prej 73.2 milionë euro e kësaj kontrate mund të krahasohet me shpenzimet për disa muaj import të energjisë është krahasim ndërmjet dy çështjeve që nuk janë të njëjta.
Pyetja që duhet shtruar është shumë më konkrete: a është në interes të KEK-ut që një pjesë e qymyrit, e cila nuk cenon furnizimin e termocentraleve dhe prodhimin vendor, të shitet drejtpërdrejt te përdoruesi përfundimtar me çmim prej 24.4 euro për ton, pa ndërmjetësues dhe pa obligime logjistike për KEK-un?
Marrëveshja duhet të shihet edhe në kontekstin e fazës së rëndësishme të transformimit në të cilën ndodhet Korporata.
KEK-u është duke realizuar një program investiv prej rreth 500 milionë euro, ndër më të mëdhenjtë në historinë e Korporatës, në një periudhë kur po zbatohen projekte të modernizimit që nuk janë realizuar në këtë shkallë për më shumë se katër dekada.
Këto investime përfshijnë rehabilitimin dhe modernizimin e njësive gjeneruese, përmirësimin e performancës mjedisore, rritjen e sigurisë së operimit, modernizimin e kapaciteteve minerare dhe zhvillimin e projekteve të reja energjetike.
Pjesa më e madhe e këtij programi financohet përmes mjeteve vetanake të KEK-ut, kredive të favorshme dhe mbështetjes financiare ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, të hyrat potenciale deri në 73.2 milionë euro kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë financiare dhe kapacitetin investues të Korporatës, përfshirë mundësinë që një pjesë e tyre të orientohet në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
Faktet kryesore të marrëveshjes janë të qarta:
  • 24.4 euro për ton, pa TVSH;
  • çmim i pandryshuar për 36 muaj;
  • vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro;
  • kontratë direkte me përdoruesin përfundimtar;
  • eliminim i ndërmjetësuesve;
  • asnjë obligim i KEK-ut për transport dhe operacione logjistike;
  • asnjë cenim i furnizimit të termocentraleve dhe prodhimit vendor;
  • të hyra shtesë në periudhën e programit më të madh investiv të KEK-ut në 4 dekadat e fundit.

Kritika është legjitime dhe transparenca është e domosdoshme për çdo ndërmarrje publike. Por debati duhet të mbështetet në fakte, përgjegjësi institucionale dhe analizë të kushteve konkrete të kontratës, dhe jo në krahasimin e proceseve që, për nga natyra dhe përgjegjësia, janë krejtësisht të ndryshme.
KEK-u ka për detyrë të sigurojë qymyr për kapacitetet e veta, të prodhojë energji elektrike dhe, njëkohësisht, të menaxhojë resurset dhe asetet e Korporatës në mënyrën më efikase dhe më të favorshme ekonomikisht.
Marrëveshja me JSC ESM duhet të vlerësohet pikërisht mbi këto kritere dhe mbi përfitimin konkret që ajo krijon për KEK-un.