Është kënaqësi dhe nder i veçantë që, më 14 gusht 2026, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) nënshkroi kontratën për shitjen e  qymyrit me JSC ESM, duke shënuar një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo marrëveshje strategjike trevjeçare është rezultat i një procesi të përbashkët, të mbështetur në interesin reciprok dhe në synimin për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme për sektorët energjetikë të të dyja vendeve.
Një ndër elementet kryesore të kontratës është çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë gjithë periudhës 36-mujore. Kjo u garanton të dyja palëve siguri dhe stabilitet afatgjatë, duke reduktuar ekspozimin ndaj luhatjeve dhe pasigurive të tregjeve ndërkombëtare.
Vlera e përgjithshme e kontratës, bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro. Për KEK-un, kjo paraqet një mundësi të rëndësishme për sigurimin e të hyrave të qëndrueshme, planifikimin më të mirë të prodhimit dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve minerare.
Po aq i rëndësishëm është fakti se KEK-u nuk do të ketë asnjë obligim lidhur me eskavimin, transportin e qymyrit apo me operacionet e tjera logjistike për tërheqjen e tij. Të gjitha këto përgjegjësi do t’i bartë blerësi, JSC ESM, ndërsa KEK-u do t’i inkasojë mjetet drejtpërdrejt nga kjo kompani për sasinë e qymyrit të tërhequr.
Marrëveshja vjen në një periudhë veçanërisht të rëndësishme për KEK-un, i cili është duke realizuar investime të mëdha kapitale në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike. Ndalesat e planifikuara të njësive të termocentraleve për realizimin e këtyre projekteve kërkojnë menaxhim të kujdesshëm të resurseve dhe financave të Korporatës.
Në këtë kontekst, të hyrat nga shitja e qymyrit do të kontribuojnë në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë e tyre do të orientohet në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ), me qëllim të rritjes së kapaciteteve, efikasitetit dhe sigurisë së operacioneve minerare.
Një veçanti tjetër e kësaj marrëveshjeje është se, për herë të parë, KEK Sh.A. po realizon një kontratë të drejtpërdrejtë të këtij lloji me një kompani tjetër publike energjetike, JSC ESM.
Në të kaluarën, KEK-u ka lidhur kontrata me operatorë ekonomikë privatë, të cilët kanë shërbyer si ndërmjetësues, ndërsa përdoruesi përfundimtar i qymyrit ka qenë pikërisht JSC ESM. Përmes kësaj marrëveshjeje të drejtpërdrejtë, KEK-u ka arritur të eliminojë ndërmjetësimin dhe të maksimizojë çmimin dhe përfitimet, duke ia shitur qymyrin drejtpërdrejt shfrytëzuesit përfundimtar.
Nga ana tjetër, JSC ESM siguron furnizim afatgjatë me qymyr, me cilësi dhe çmim të përcaktuar, duke reduktuar ekspozimin ndaj luhatjeve dhe pasigurive të tregjeve ndërkombëtare.