Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) mirëpriti një delegacion të përbërë nga përfaqësues të shumtë diplomatikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, politikëbërës, ekspertë të energjisë, hulumtues dhe përfaqësues të institucioneve e qendrave të njohura evropiane dhe rajonale.

Delegacioni u mirëprit nga Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, z. Gramos Hashani, së bashku me menaxhmentin e Korporatës, me ç’ rast u zhvillua një prezantim i detajuar mbi operimet aktuale të KEK-ut, rolin e prodhimit vendor në sigurinë energjetike të Kosovës, zhvillimin e projekteve strategjike dhe ciklin e investimeve kapitale në vlerë mbi 500 milion eur, si dhe mbi procesin e modernizimit të kapaciteteve ekzistuese.

Gjatë vizitës, delegacioni u informua nga afër për projektet kryesore të modernizimit në TC Kosova B, përfshirë modernizimin e turbinave, projektet mjedisore për elektrofiltrat dhe DeNOx, si dhe për operimet e TC Kosova A dhe procesin e modernizimit të njësisë A3.

Një pjesë e veçantë e vizitës iu kushtua edhe zhvillimit të energjisë së ripërtërishme, me prezantimin e projektit Solar4Kosovo – 100 MW, si dhe prodhimit vendor të linjitit dhe rolit të tij në funksionimin e qëndrueshëm të sistemit energjetik të Kosovës.

Gjatë prezantimeve dhe vizitave në terren, delegacioni pati mundësi të krijojë një pasqyrë më të drejtpërdrejtë mbi sfidat operacionale, procesin e transformimit të KEK-ut, investimet në modernizimin e kapaciteteve dhe përpjekjet për diversifikimin gradual të portofolit energjetik.

Në përmbyllje të vizitës, anëtarët e delegacionit vlerësuan informacionin e ofruar dhe mundësinë për të parë nga afër kapacitetet, operimet dhe projektet në zhvillim të KEK-ut, duke e konsideruar vizitën një mundësi të rëndësishme për shkëmbim të drejtpërdrejtë të perspektivave mbi sigurinë energjetike dhe tranzicionin energjetik të Kosovës.

KEK mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit institucional dhe dialogut profesional me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë, veçanërisht në fushat që lidhen me sigurinë energjetike, modernizimin, zhvillimin e kapaciteteve të reja dhe tranzicionin drejt një sektori energjetik më të qëndrueshëm.