Në kuadër të masave të ndërmarra pas aksidenteve të fundit në punë dhe në zbatim të konkluzioneve të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, Task-Force për vlerësimin, rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë në KEK Sh.A. ka filluar punën.
Task-Force përbëhet nga përfaqësues të strukturave relevante operative dhe profesionale të Korporatës, përfshirë edhe përfaqësues sindikal, ndërsa sipas nevojës mund të përfshijë ekspertë të brendshëm apo ekspertë të specializuar të jashtëm për fusha specifike.
Në fokus të punës së saj do të jetë vlerësimi i plotë i sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, shqyrtimi i procedurave, standardeve dhe praktikave ekzistuese, identifikimi i mangësive eventuale dhe propozimi i masave konkrete për forcimin e sigurisë, mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë në çdo nivel.
Zbatimi i rekomandimeve do të jetë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e divizioneve, departamenteve dhe njësive përkatëse, ndërsa realizimi i tyre do të mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme dhe efektive nga Menaxhmenti, deri në zbatimin e plotë të masave të përcaktuara.
Siguria dhe shëndeti i punonjësve janë prioritet absolut i KEK Sh.A. dhe çdo mangësi e identifikuar do të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe masa konkrete.