Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është ndërmarrja publike kryesore energjetike në Republikën e Kosovës me mision të krijimit të prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike, termike si dhe eksploatimit të thëngjillit në vend.
Në vitet e para të pasluftës disa njësi jo qenësore janë ndarë nga korporata me qëllim të ruajtjes së fokusit të korporatës në prodhim të energjisë elektrike, konform strategjisë për energji të asaj kohe, direktivave të BE dhe politikave të shtyllës së IV të UNMIK-ut. Njëra nga këto njësi jo qenësore ka qenë edhe “Mbrojtja dhe Siguria” që është marrë më shërbimin e sigurimit fizik të KEK-ut. Që nga ajo kohë e deri më sot këta punonjës janë angazhuar tek Operatorët Ekonomikë Privat të cilët përmes procedurave të prokurimit publik kanë ofruar shërbimin e sigurimit fizik në korporatë.
Sindikata e punonjësve të kësaj ish Njësie para Menaxhmentit dhe Bordit së fundmi sërish ka paraqitur pakënaqësitë e veta, si dhe ka adresuar disa kërkesa për të cilat janë organizuar disa takime në nivele të ndryshme në mes të dy palëve. Menaxhmenti i KEK-ut ka dëgjuar me vëmendje dhe ka kuptuar kërkesat e organizimit sindikal të punonjësve të kësaj ish Njësie, dhe për të analizuar më në detaje ka krijuar komisione brenda korporatës.
Në takimin e fundit të mbajtur në mes të përfaqësuesve sindikal të kësaj ish Njësie dhe Bordit të KEK më datë 19/08/2021 të udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë në pajtueshmëri të plotë të të dy palëve është vendosur që deri me datë 27/08/2021 komisonet e formuara brenda KEK-ut do të bëjnë njoftimin për progresin e këtyre proceseve. Duke i qëndruar besnik kësaj marrëveshjeje KEK do të ndërmerr të githa veprimet e nevojshme për adresimin sa më të shpejtë të kësaj çështje në përputhshmëri të plotë me kornizën ligjore të aplikueshme.