Një grup studentësh të RIT Kosova (ish -Universitetit Amerikan në Kosovë - AUK) kanë realizuar një vizitë studimore në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Me kërkesë të profesorëve të “RIT Kosova”, vizita studimore është bërë në Divizionin e Termocentralit “Kosova A”. Grupi i studentëve të degës së Shkencave Politike, të shoqëruar nga profesoresha, Tracy Briggs vizituan sektorin e Monitorimit të Mjedisit në Termocentralin “Kosova-A”. Në këtë sektor, kryeinxhineri i KEK-ut, Sabri Simnica i njoftoi studentët me punën dhe procesin e prodhimit të energjisë elektrike, e po ashtu e mbajti një ligjëratë për historikun e ngritjes së kapaciteteve prodhuese të termocentralit “Kosova-A” dhe mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike.

Më pastaj, Simnica studentëve u prezantoi edhe të dhënat për investimet e realizuara në mbrojtjen e mjedisit, ndërrimin e fundërruesve elektrostatik dhe objektit për transportin hidraulik të hirit. Të gjitha këto mekanizma të cilat reduktojnë masën e ndotjes së ambientit dhe të cilat e bëjnë prodhimin e energjisë të pastër për mjedisin.

Po ashtu, studentët janë njoftuar edhe për aktivitetet që zhvillohen në monitorimin e mjedisit, ajrit, ujit dhe tokës. Studentëve gjatë kësaj vizite ditore, u është ofruar mundësia të shohin nga afër pajisjet e njësive prodhuese dhe komandat termike. Ndërsa, pyetjeve të tyre u është përgjigjur, kryeinxhinieri Sabri Simnica lidhur me prodhimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Studentët u ndanë të kënaqur me vizitën dhe ligjëratën e zyrtarëve të KEK-ut.